Erion Veliaj, themeluesi i kitsch-it rilindas

Nga Ermal Mulosmani
Erion Veliaj, themeluesi i kitsch-it rilindas

Unë mund t’i mbijetoja shumë kollaj vuajtjeve dhe varfërisë në komunizëm. Por e kisha të pamundur t’i mbijetoja kitschit komunist. Në botën e teveqelëve të qeshur, me të cilët nuk do kisha mundur të këmbeja asnjë fjalë, do të kisha vdekur nga tmerri brenda javës”.

Kështu shprehet një personazh në librat e Milan Kunderës.

Sipas versionit të Kunderës kitsch-i, një fjalë me prejardhje gjermanike, përdoret për të shfaqur gjithë patetizmin, entuziasmin, lajkat, lustrat, fanfarat, fasadat, maskat, tautologjinë e pakuptimtë, parullat, llamburitjen verbuese, gëzimin, qeshjen, buzëqeshjen e stampuar, harenë, të mirën dhe njëkohësisht për të fshehur gjithë pisllëqet, të keqen, mutin, varfërinë, vuajtjen. Një lloj fasade që mpin arsyen dhe luan me imazhin.

Thelbi i kitschit është krijimi i një modeli estetik që e mohon atë që është thelbësisht e papranueshme.

Në mbretërinë e kitschit –thotë Kundera- përgjigjet jepen paraprakisht dhe përjashtojnë çdo pyetje të re. Nga kjo rrjedh konkluzioni se kundërshtari i vërtetë i kitschit totalitar është njeriu që bën pyetje. Pyetja është thika që çjerr telajon e pikturuar të dekorit që mund të shohë se ç’shihet pas. Armiku im nuk është komunizmi por është kitschi!

Le të kthehemi tani te Veliaj. E shohim përditë llërëpërveshur si një “superman” që takon njerëz rrugëve të fshatrave, i përqafon, u flet me buzëqeshjen e stampuar dhe fjalët “Zemër je”, takon pastrueset e Bashkisë, nëna me fëmijë, pleq të rinj. Zëri i dridhet, kamera kap detajet. Mbrapa tij ka një ekip të tërë propagandistik, ka flotën e dronëve, ka kamerat e modeleve të fundit, pajisjet dhe stafin më të kualifikuar. Kameramanët e shkretë vrapojnë për të mbajtur ritmin e të ecurit nëpër rrugë fshati, Kryetari ecën shpejt, ai nuk dihat, ai është elegant dhe atlet, ai bën rrugën në këmbë dhe këtë kohë-rrugë e shfrytëzon për të dhënë mesazhe për popullin. Sepse koha është flori në kitschin e botës së imazhologëve.

Ky është kitschi rilindas. Kitschi rilindas është hipokrizia dhe fasada e ngritur në sistem. Pjesë e ingranazheve propagandistikë të Bashkisë janë një staf i gjerë me agjentë imazhi, kameramanë, dronistë, montazhierë. Aty mungojnë vetëm gazetarët. Ose pyetësit.

Sepse siç thotë Kundera pyetjet janë të përjashtuara.

Po të shikosh të gjitha kronikat e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nuk ka asnjë person që bën pyetje. Pyetjet janë të nënkuptuara nga përgjigjet. Ato përjashtojnë çdo pyetje të re.

Një plakë i mban dorën dhe e shikon e mahnitur, një detaj tregon bluzën e thjeshtë me drerë të blerë në dyqanet popullore më të lira, një njeri kujdeset për ta shpërndarë kronikën pa pyetje por me përgjigje në të gjitha mediat. Tapinosja, teprimi, lustra i jepen si ushqim ditor çdo banori me detyrim. Mediat, kombëtare a lokale qofshin, në raport me Veliajn janë si shtojca të zyrës së shtypit. Në secilën prej tyre ai ka të punësuar kuratorët e imazhit. Nuk ka çudi këtu. Agjentë të imazhit të Veliajt nuk janë vetëm hidraulikë apo këshilltarë ekonomikë në Ujësjellës. Agjentët e imazhit mund të figurojnë të shpërndarë në Ujësjellës, në Gjelbrim, pemërritje, pemëmbjellje, krasitje, pastrues nate. Secili sektor ka pastruesin(agjentin e imazhit të vet).

Vetëm në vitin 2019 janë blerë sipas Open Data mbi 60 mijë Euro për flotën e xhirimeve ajrore me dronë.Kaq shpenzime për dronë nuk bëjnë të gjitha televizionet shqiptare. E keqja e dronëve është se nuk mund të shpërndahen ca si punëtorë ujësjellësi e ca si elektricistë. Ato duhen paguar nga paratë e taksave tona për kitschin e Kryetarit.

Mirëpo ndonjëherë duhet të shkojë përballë dikujt që bën pyetje, nuk mundet t’i shmangë gjithmonë. Ndodh që thotë një premtim të bujshëm. Fjala vjen, në 2015-ën deklaroi që Tirana ka 8000 apartamente pa shitur dhe që nga ai moment Bashkia e Tiranës nuk do të jepte asnjë leje. Por në vitin 2019, Bashkia Tiranë e ktheu Tiranën në shesh ndërtimi duke thyer çdo rekord të deriatëhershëm. Nëse do kërkojmë të ballafaqojmë videon e 2015-ës ku deklaronte ndalimin total me faktin e 2019-ës, Veliaj shpiku mekanizmin më të çuditshëm, ndalimin e përdorimit të videove përmes kompanisë Acromax. Kjo kompani që mbron të drejtat e videove të Televizioneve kryesore ua ndalon mediave përdorimin e tyre nga youtub-i. Një ndalesë absurde pasi logjikisht duhej të ishte e kundërta. Publikimi i këtyre videove do të rriste numrin e klikimeve dhe përkthehej si para për klientët e Acromax. Por jo, duke përdorur Acromax-in ndalen mediat të publikojnë imazhet që Veliaj nuk do donte të dilnin.

Mirëpo kitsch-i rilindas pëson edhe goditje. Gjithë produkti i imazhit lejfenist të trikos me drerë, të xhiruar me shumë dubla dhe përgjigjet e autopyetjeve si në modelin e Kunderës u hodh në erë kur u zbulua që zëvendësi i tij kishte fjetur në një hotel në Barcelonë që kushtonte mbi 1800 Euro për dy netë. Për më keq, këto para ishin paguar nga përfituesi më i madh i fondeve publike të Bashkisë, kompania Fusha. Një proçes penal u hap për këtë çështje dhe… i nxori të pafajshëm. Po po, edhe në drejtësi Veliaj ka imazhologët e vetë.

Një ditë, në një nga ato autointervistat pa pyetje, Veliaj deklaroi që uji që vjen nga Ujësjellësi i Tiranës është brenda gjithë parametrave dhe mund të përdoret për t’u pirë, Gati u lutej banorëve që ta pinin atë ujë. “Është i kloruar dhe i çertifikuar nga institucionet” – deklaronte me patos Veliaj (pa pathos nuk mundet). Pak kohë pas kësaj deklarate, bëhet publik një tender nga Bashkia e Tiranës dhe, e dini çfarë? Shpenzohen rreth 13 mijë Euro për ujë të pijshëm për punonjësit e Bashkisë Tiranë!

Për më tepër, në një dalje tjetër televizive flet që ai vetë kishte blerë një koli me ujë për t’ia çuar gruas në shtëpi. Ndiqeni videon më poshtë:

Çunat duan ujë të mirë, jo ujë ujësjellësi. Vërtetë aty kemi këshilltarë dhe specialistë nga më të zotët por janë për imazh. Janë më të mirët që ka tregu për atë punë. Por jo për ujë, janë për imazh. Ujin e tyre le ta pijë populli jo ne…

Me aq para të shpenzuara janë blerë rreth 85000 shishe ujë tregu. I bie diku te 250 shishe në ditë. Kjo hipokrizia duhet çjerrë, fasada duhet të bjerë. Por që të bjerë dekori –thotë Kundera- duhet të bëhen pyetje. Por pyetje nuk ka. Intervistat janë me autopyetje.

Jemi në kitschin rilindas.

 

Botuar në Gazeta Ekspress

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>