Escobar mban sot konferencë mbi dialogun Kosovë-Serbi në lidhje me targat

Escobar mban sot konferencë mbi dialogun Kosovë-Serbi në lidhje me targat

Zëvendës ndihmës sekretari për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar pritet të mbajë të enjten një konferencë për shtyp në lidhje me bisedimet në Bruksel mes delegacioneve kosovare dhe serbe, si dhe situatën në veriun e Kosovës.

Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, e cila njoftoi se konferenca do të mbahet në orën 15.00.

Escobar udhëtoi në Bruksel të mërkurën, ku u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Megjithatë, ai nuk ishte pjesë e bisedimeve trepalëshe për zgjidhje të mosmarrëveshjes së targave, për të mos minuar pozicionin  e BE-së si ndërmjetëse.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kërkuan Kosovës dhe Serbisë të gjejnë një zgjidhje për problemin e targave, ec ila prej gati dy javësh ka ngritur tensionet në kufirin midis dy vendeve.

Ekipet negociuese do të vijojnë të enjten diskutimet, pas dështimit për arritjen e një zgjidhje një ditë më parë.

Mbrëmë, përfaqësuesi i Kosovës Besnik Bislimi tha se palët kishin rënë dakord për një draft, i cili priste miratimin përfundimtar nga qeveria serbe.

Zëdhënësi i BE -së, ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi, si dhe qeveria serbe nxituan të mohojnë lajmin se zgjidhja ishte refuzuar nga Serbia, duke deklaruar se nuk ishte gjetur një zgjidhje përfundimtare, edhe pse ka patur përparim për çështjen e targave.

Opsionet e diskutuara përfshijnë një kërkesë të mundshme që makinat që udhëtojnë midis dy vendeve të përdorin afishe të përkohshme për të mbuluar flamujt e tyre dhe emrat e vendeve, në vend të targave të përkohshme.

Gjithashtu pritet të kërkohet heqja e barrierave rrugore dhe tërheqja e forcave të policisë speciale të Kosovës nga zona kufitare, në favor të trupave të KFOR-it të drejtuar nga NATO.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>