EURALIUS dhe kandidati për gjyqtar kushtetues Rado i propozojnë KLGJ-së të shkelë Kushtetutën

Nga Vincent Van Gerven Oei
EURALIUS dhe kandidati për gjyqtar kushtetues Rado i propozojnë KLGJ-së të shkelë Kushtetutën

Në një rast që duhet denoncuar me zë të lartë si konflikt i hapur dhe i papranueshëm interesi, eksperti i misionit EURALIUS V Klodian Rado ka këshilluar Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) që të anashkalojë Kushtetutën duke “deleguar” përkohësisht gjyqtarë në Gjykatën e Lartë të mbetur bosh.

Rado është njëkohësisht kandidat për anëtar të Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë (ILD), dhe kandidatura e tij aktualisht po shqyrtohet nga i njëjti KED që ai këshillon si ekspert i EURALIUS-it.

Exit.al siguroi një dokument konfidencial të quajtur “Opinioni Juridik: Për gjendjen e jashtëzakonshme në Gjykatën e Lartë”, hartuar, më 29 maj 2019, nga dy punonjës me pagesë të misionit EURALIUS Grzegorz Borkowski dhe Klodian Rado.

Sipas profilit të tij në LinkedIn tij, Rado është një “ekspert i lartë ligjor në EURALIUS, BE”. Kjo në vetvete është shtrembërim i së vërtetës, pasi EURALIUS financohet nga BE-ja vetëm si mision për të dhënë asistencë teknike dhe nuk përfaqëson BE-në.

Opinioni ligjor i shkruar prej tij madje e thekson qartë këtë fakt duke pohuar që në hyrje: “Mendimet e shprehura në këtë dokument nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionin zyrtar të Bashkimit Evropian”.

Opinioni ligjor në fjalë ndjek një argument të ngjashëm me atë të përdorur më parë nga EURALIUS për të justifikuar zgjedhjen e Prokurores të Përgjithshme “të Përkohshme” Arta Marku me një shumicë të thjeshtë votash në parlament dhe pa kaluar vetingun.

Kushtetuta përcakton standarde dhe procedura të qarta për zgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. 13 anëtarët propozohen nga KLGj-ja nga radhët e gjyqtarëve me më shumë se 13 vjet përvojë (10 prej tyre) dhe avokatë, profesorë dhe nëpunës civilë të nivelit të lartë (3 prej tyre). Më pas ata dekretohen nga Presidenti.

Megjithatë, KLGj ende nuk e ka miratuar kornizën ligjore për të emëruar gjyqtarët në Gjykatën e Lartë, “për shkak të veprimeve të tjera emergjente”.

I vetmi përfundim logjik që mund të rrjedhë nga kjo është se KLGj duhet t’i japë përparësi miratimit të kësaj kornize ligjore, në mënyrë që më pas të propozojë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë në përputhje me dispozitat e Kushtetutës.

Megjithatë, Rado dhe kolegu i tij polak—burime për Exit.al na informuan se ish-gjyqtari polak vetëm sa ka vënë emrin pët t’i dhënë besueshmëri, por çdo fjalë e opinionit është shkruar nga Rado—propozojnë diçka krejtësisht të ndryshme, në shkelje të hapur të Kushtetutës, thjesht sepse “EURALIUS është i vetëdijshëm se për të mbajtur të paktën një minimum funksionaliteti në Gjykatën e Lartë është e nevojshme që të merren masa të tjera të përkohshme“.

“Funksionaliteti” nuk është ndonjë kategori e përcaktuar në Kushtetutë, dhe, për më tepër, që kur paska filluar EURALIUS të shqetësohet për “një minimum funksionaliteti”?

Në të shkuarën, EURALIUS ka qenë i kënaqur të këshillojë veprime që kanë çuar në degradimin e plotë të sistemit të drejtësisë shqiptare, pa menduar dy herë, ndërsa, tani papritur, qenka shqetësuar për shtetin e së drejtës?

EURALIUS ndihmoi në mënyrë aktive në shkatërrimin e institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm, këshilloi një kornizë ligjore të reformës në drejtësi me përmbajtje thellësisht kontradiktore në vetvete (më shumë për këtë do të shkruajmë në ditët në vazhdim) dhe ka bllokuar në mënyrë sistematike çdo lloj transparence publike të veprimtarisë së tij.

Tani, ne duhet të besojmë se ky institucion është shqetësuar për një “minimum funksionaliteti.

Zgjidhja I nga EURALIUS përmes Nenit 45 të Ligjit për Statusin

EURALIUS ka propozuar anashkalimin tërësor të Presidentit, duke u mbështetur në Nenin 45 të Ligjit 96/2016 për Statusin e Gjykatësve dhe Prokurorëve, i cili trajton të ashtuquajturën “skemë delegimi”. Kjo skemë lejon që gjyqtarët “nga të gjitha nivelet me së paku një vit përvojë në detyrë, të aplikojnë për t’u komanduar në një pozicion tjetër përmes një skemë delegimi, e cila krijohet në KLGJ” për një periudhë jo më shumë se 5 vjet.

Në bazë të këtij përcaktimi, KLGJ mund të “caktojë një magjistrat në çdo pozicion të të njëjtit nivel ose të një niveli tjetër, për të cilin magjistrati përmbush kërkesat”.

Me fjalë të tjera, EURALIUS sugjeron që të merren gjyqtarë nga gjykatat e rretheve apo të apelit dhe të caktohen gjyqtarë “të përkohshëm” për Gjykatën e Lartë për 5 vjet, pa miratimin e Presidentit.

Përveç problemeve kushtetuese, kjo zgjidhje është problematike edhe në praktikë. Edhe pse KLGJ ka hapur disa aplikime për “skemën e delegimit”, në të aplikuan vetëm pak gjyqtarë dhe asnjë nuk është miratuar nga KLGJ si i përshtatshëm për t’u deleguar.

Por, EURALIUS e shpërfill këtë realitet, dhe shprehet se “shumë gjyqtarë do të jenë të interesuar të shërbejnë në skemën e delegimit me qëllim që të emërohen përkohësisht në Gjykatën e Lartë”.

Rado madje sugjeron se “me qëllim për të shmagur perceptimin e nepotizmit, KLGJ mund të konsiderojë të vendosë disa kritere objektive shtesë për kandidatët që do të caktohen në Gjykatën e Lartë përmes skemës së delegimit, si për shembull të kenë kaluar vetingun (edhe pse ky nuk është parakusht ose kërkesë ligjore për skemën e delegimit)”. Natyrisht, shqetësimi është për të shmangur “perceptimin e nepotizmit”, dhe jo vetë nepotizmin!

Zgjidhja II nga EURALIUS përmes Nenit 46 të Ligjit për Statusin

Në rast se nuk ka gjyqtarë që kualifikohen përmes skemës së delegimit të përcaktuar në Nenin 45 të Ligjit për Statusin, EURALIUS propozon që KLGJ të përdorë Nenin 46 të tij, i cili i lejon KLGJ-së t’i “kërkojë” një gjyqtari të “japë pëlqimin” për një ngritje të përkohshme në detyrë.

Ana e volitshme e përdorimit të Nenit 46 është se nuk është e nevojshme të bëhet thirrje publike për aplikime, nuk ka nevojë për vlerësime të mëtejshëm, për veting, për asgjë. KLGJ thjesht i kërkon një gjyqtari, duke e vendosur vetë se kujt, të ngrihet përkohësisht në detyrë duke shërbyer në Gjykatën e Lartë.

Neni 46 është i dobishëm në këtë rast pikërisht për shkak se nuk është i mirëpërcaktuar, siç e pranon vetë Rado: “dispozitat për transferimin e përkohshëm duket se janë të papërcaktuara qartë”.

Me fjalë të tjera, EURALIUS këshillon që të përdoren mangësitë e një ligji të hartuar keq (me ndihmën e vetë EURALIUS-it), i cili për shkak të këtyre mangësive lejon një ngritje në detyrë të rastësishme të një gjyqtari të shkallës së parë në Gjykatën e Lartë, thjesht sepse kështu do KLGJ-ja, për të shmangur dispozitat e paleverdisshme të Kushtetutës.

Opinioni i EURALIUS përmbyllet me këtë përfundim:

Me qëllim të kalimit të një periudhe kalimtare, ndërsa procesi i formimit dhe emërimit në Gjykatën e Lartë ende nuk ka përfunduar, KLGj mund të marrë në konsideratë përdorimin e skemës së delegimit dhe emërimin e gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë.

Përveç kësaj, nëse nuk ka magjistratë të përshtatshëm në skemën e delegimit që përmbushin kushtet për Gjykatën e Lartë, atëherë referimi ndaj Nenit 46 të Ligjin për Statusin, do të ishte e arsyeshme dhe e mundshme, duke transferuar në Gjykatën e Lartë për një periudhë të përkohshme, dhe me pëlqimin e tyre, gjyqtarët që kanë një ecuri shumë të mirë profesionale.

Në veçanti, fjalia e fundit është një absurditet. Së pari, gjyqtarët do të “ngrihen në detyrë”, nuk do të “transferohen” në Gjykatën e Lartë, duke qenë se transferimet janë lëvizje paralele dhe jo ngritje në detyrë.

Së dyti, “ecuria shumë e mirë profesionale” nuk është një kriter kualifikues i kërkuar në Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve. Gjyqtarët duhet të përmbushin “kriteret për t’u transferuar ose për t’u ngritur në detyrë në strukturën përkatëse”, që për rastin e Gjykatës së Lartë do të thotë se kandidatët duhet të kenë “punuar për jo më pak se sa 13 vjet në gjykatat e ulta, nga të cilat 5 vitet e fundit në fushën e drejtësisë me rëndësi të veçantë për vendin vakant, përfshirë edhe eksperiencën si magjistratë i dytë”, siç parashikon Neni 47 pika 5 e Ligjit për Statusin.

Gjëja më skandaloze e këtij arsyetimi është se ai propozon që legjislacioni që do të përdoret plotësisht pasi të ketë përfunduar periudha kalimtare e përfundimit të vetingut të zbatohet gjatë vetë periudhës kalimtare.

Me fjalë të tjera, opinioni propozon që ligjet që duhet të zbatohen plotësisht pasi të jenë vetuar të gjithë gjytarët të përdoren për gjyqtarët që nuk e kanë kaluar vetingun.

Kjo do të lejojë që gjyqtarët “e pistë”, të pavetuar, të ngrihen lehtësisht në nivelet më të larta të sistemit të drejtësisë, ndërkohë që vetingu do të vazhdojë për të paktën 8 vjet.

Ky propozim kërkon, thjesht, të zëvendësojë një elitë të korruptuar gjyqësore me një tjetër të korruptuar.

Duke sugjeruar që gjyqtarët e pavetuar të shërbejnë “përkohësisht” (deri në 5 vjet!) në Gjykatën e Lartë, për të ndrequr gjendjen e perceptuar si “emergjente”, kandidati për gjyqtar kushtetues dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë Klodian Rado tregon se nuk ka kuptuar asgjë nga qëllimet kryesore të Reformës në Drejtësi.

E gjithë ideja e reformës ishte të vetoheshin të gjithë gjyqtarët nga lart-poshtë, në mënyrë që formimi i institucioneve qeverisëse të drejtësisë dhe personeli vendim-marrës i sistemit të krijoheshin me magjistratë të vetuar, përmes një procesi vetingu me dy nivele.

Tashmë, është fakt se ky qëllim i rëndësishëm i reformës ka dështuar në rastin e KLGJ-së, KLP-së dhe të KED-it, të cilët kanë anëtarë që ende nuk kanë kaluar vetingun.

Tani, Klodian Rado po na propozon një qasje të ngjashme shkatërruese dhe për Gjykatën e Lartë.

Kjo na jep arsye të besojmë se edhe kandidatët e Gjykatës Kushtetuese do të propozohen para se të kenë kaluar plotësisht procesin e vetingut.

Por më e keqja, në këtë gjendje, ky opinion ligjor ka qëllim të ndihmojë KLGJ-në, dhe për rrjedhojë qeverinë shqiptare, të pastrojë rrëmujën e krijuar nga reforma në drejtësi, e cila ka sjellë pasoja negative përtej imagjinatës të eurokratëve që e hartuan atë.

Dhe kjo “ndihmë” po jepet pikërisht nga një person që është duke u vlerësuar nga KED-i për kualifikimet e tij për t’u emëruar në Gjykatën Kushtetuese apo si Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Edhe këtë herë, koha e dhënies së “opinionit” është në vetvete e dyshimtë.

Opinioni i mëparshëm ligjor i lëshuar nga EURALIUS, edhe ai një ndihmesë vendimtare për të zgjidhur një “emergjencë” të krijuar nga vetë “zgjidhësit”, u lëshua pikërisht në momentin kur konsorciumi që zbatonte EURALIUS IV ishte përfshirë në një tender për të fituar fazën tjetër të misionit—EURALIUS V–që sigurisht e fituan, falë ambasadores të atëhershme të BE-së, Romana Vlahutin.

Nuk duhet të habitemi nëse Rado do të renditet në pozicionet e para në listën e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese të KED-it, pas së cilës si gjyqtar kushtetues ai mund të miratojë në mënyrë retroaktive opinionet e tij ligjore.

Në çdo vend normal të BE-së, sapo Rado të aplikonte si kandidat për Gjykatën Kushtetuese apo ILD, ai do të duhej të jepte dorëheqjen nga EURALIUS.

Por, në Shqipëri, atij i lejohet të luajë një rol tërësisht të dëmshëm për reformën në drejtësi, duke minuar autoritetin dhe besueshmërinë e organeve më të larta të drejtësisë vetëm sepse EURALIUS po kërkon të ndreqë në mënyrë antikushtetuese një “emergjencë”, që e ka krijuar vetë, përpara se të emërohen anëtarët e rinj të Komisionit Evropian.

Për më tepër, shtysa e Rados për të shkruar këtë opinion ligjor nuk është thjesht të japë këshilla ligjore cilësore në rolin e ekspertit të pavarur. Nxitja e tij është të shkruajë një opinion ligjor që do t’i pëlqejë KLGJ-së dhe qeverisë, të cilët mund t’i japin atij një shans më të mirë për t’u zgjedhur në Gjykatën Kushtetuese ose ILD.

Sjellja e Rados jo vetëm duhet ta skualifikojë atë përgjithnjë nga çfarëdo lloj funksioni zyrtar brenda sistemit gjyqësor “të reformuar”, por duhet të shërbejë si nxitje për një hetim të menjëhershëm parlamentar për konflikte të tjera interesi brenda EURALIUS-it dhe sistemit të drejtësisë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>