Euro 2020 në dimër, UEFA vendos nesër se çfarë do të bëhet me futbollin

Nga Exit News
Euro 2020 në dimër, UEFA vendos nesër se çfarë do të bëhet me futbollin

Të martën UEFA do të zhvillojë mbledhje të jashtëzakonshme për të vendosur përfundimisht se çfarë do të bëhet me futbollin në Evropë, fatet e turneve ndërkombëtarë dhe sidomos të kampionatit Evropian.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin pritet të shpalosë përpara 55 federatave të Evropës propozimin e ardhur nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) për të shtyrë për më 23 nëntor kampionatin Euro 2020.

Mediat italiane raportojnë se ideja për ta zhvendosur kampionatin Evropian në dimër – 23 nëntor-23 dhjetor – shihet me përparësi për përmbylljen e kampionateve vendase si për shembull Serie-A.

Përveç kësaj, FIFA mund ta mirëpriste këtë vendim duke qenë se mendon për të njëjtën zhvendosje në dimër për botërorin Katar 2022.

Por nëse për botërorin në Katar arsye për zhvendosjen e kampionatit është vapa dhe temperaturat e larta, për Evropianin është rreziku nga përhapja e koronavirusit.

Aktualisht të gjitha kampionatet e futbollit në Evropë janë pezulluar, ndërsa ka disa sportistë që janë diagnostikuar me infeksionin Covid-19.

Mirëpo shtytja e Evropianit në dimër detyron që Federatat të mbyllin kampionatet e lëna përgjysmë, së paku brenda këtij sezoni, pra brenda muajve maj-qershor.

Kjo ka nxitur që në Itali – simpatizantë të idesë së shtytjes së Evropianit – të propozohet që pas 2 majit, të luhen plot 12 javë radhazi në një kohë shumë të shkurtër.

Në diskutim janë edhe kontratat e lojtarëve, disa prej të cilëve janë në përfundim dhe deri në qershor nuk dihet se çfarë fati mund të kenë.

UEFA pezulloi në fundjavë të gjitha ndeshjet e vlefshme për Champions League dhe Europa League.

Me Evropën që është kthyer epiqendër e pandemisë botërore, UEFA propozon të hiqen ndeshjet e kthimit, të reduktohen fazat e mbetura, ose që trofetë e këtij sezoni të vendosen me mini-turne për të cilën pritet të vendoset nesër.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>