Eurobondi sukses për qeverinë, por mund të kthehet në mallkim për Shqipërinë

Nga Neritan Sejamini
Eurobondi sukses për qeverinë, por mund të kthehet në mallkim për Shqipërinë

Sigurimi i €650 milionë borxh përmes lëshimit të një eurobondi është sukses për qeverinë. Kjo gjë është fakt përtej çdo diskutimi—vetëlëvdimet sipërore të qeverisë janë natyrisht të fryra, pasi lëshimi i suksesshëm i eurobondi nga qeveri është ngjarje e zakonshme.

Mund të thuhet sidoqoftë se kërkesa e lartë për të blerë eurobondin shqiptar dhe interesi i ulët me të cilin ai u sigurua tregojnë se besueshmëria e qeverisë shqiptare nuk është rënduar pavarësisht krizës ekonomike dhe rënies së pritshme të të ardhurave qeveritare.

Por suksesi kryesor i qeverisë është se ajo mundi të siguronte lehtësisht valutë jetike.

Nga njëra anë, qeveria ka të domosdoshme të financojë shpenzimet që tani rrezikojnë të mbeten pa u kryer për shkak të rënies së të ardhurave.

Nga ana tjetër, ekonomia ka nevojë jetike për injektim të menjëhershëm parash, që mund të vinë vetëm nga qeveria, për t’u rimëkëmbur dhe mos e kthyer krizën në krizë aftagjatë.

Nëse eurobondi do të kishte dështuar kjo do të ishte tragjedi për shumë qytetarë në nevojë dhe për ekonominë e vendit—pasi borxhi është sot e vetmja mundësi për të sigurar fonde për qeverinë.

Unë kam qenë ndoshta zëri i vetëm publik që kam propaganduar që në fillim të krizës se dalja prej saj do të kërkojë investim miliarda eurosh në ekonomi—në mënyrë të trashë vlerësova se do të duheshin të paktën €1,5-2 miliardë në afatshkurtër—të cilat do të duhej të merresin hua.

Problemi me të cilin ne ndeshemi sot nuk është rritja e borxhit të vendit—kjo është domosdoshmëri dhe po e bëjnë shumë vende, përfshi të zhvilluara.

Prandaj, akuzat, ironitë apo sulmet ndaj qeverisë se mori borxh janë idiotësi ekonomike, por edhe një qasje kundërproduktive dhe e dëmshme.

Problemim që ne kemi është si do të përdoret borxhi.

Prandaj, qeverisë në vend që t’i kërkohet llogari pse mori borxh, duhet t’i bëhet trysni se për çfarë ta përdorë borxhin: paratë që do i paguajnë shqiptarët duhet të përdoren në mënyrë produktive ekonomike dhe me transparencë.

Borxhi duhet të përdoret për investime në infrastrukturë dhe në kapitalin njerëzor: në infrastruktuën e transportit, teknologjinë e informacionit, arsim dhe shëndetësi.

Qeveria Rama ka një histori të keqpërdorimit të borxhit: ajo ka marrë borxh më shumë se çdo qeveri tjetër në historinë e Shqipërisë, deri më tani rreth €3,5 miliardë borxh neto, por është nga qeveritë që ka investuar më pak në punët publike.

Mjafton të sjell dy ilustrime: anashkalimi i Fierit i projektuar dhe që në kohën e qeverisë demokrate nuk është ndërtuar ende pas 7 vjetësh qeverisje socialiste, sikurse anashkalimi i Tepelenës vetëm 1-2 kilometra rrugë.

Mungesa e këtyre dy investimeve minimale kanë kushtuar miliona euro në humbje kohe dhe karburanti, ndërkohë që kanë vështirësuar aksesin e bregdetit të jugut për qindra mijëra tursitë çdo vit.

Të marrësh €3,5 miliardë dhe të kesh shtatë vjet që qeveris e të mos bësh dot këto dy investime të rëndësishme, por minimale, është shpërdorim i borxhit me pasoja ekonomike.

Ndaj qeveria nuk duhet lënë më të abuzojë me borxhin publik.

Ajo duhet nxitur të investojë në teknologjinë e informacionit, nga futja e saj në shkollat fillore deri tek rritja e aksesit të popullsisë në internet.

Duhet nxitur të investojë investojë në rrugë, sidomos në përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së rrugëve kombëtare, përfshi shmangien e kalimeve mes qyteteve, ndërtimin e mbikalimeve për të shmangur rrethrrotullimet, mbyllljen e të gjitha segementeve të pandërtuara të autostradave kryesore, sidomos segmention Tiranë-Mamurras; etj;

Duhet nxitur të investojë në zgjerimin dhe fuqizimin e aeroportit të Rinasit dhe në lidhjen e tij me hekurudhë me Tiranën dhe Durrësin.

Duhet nxotur të investojë në infrastukturën shëndetësore, përfshi pajisjet dhe aparaturat mjekësore.

Duhet nxitur të investojë në infrastrakturën e zonave bregdetare, përfshi pastrimin e ujrave të zeza e furnizimin me ujë të pijshëm, dhe zgjidhjen e problemeve të urbanizimit kaotik në shumë prej këtyre zonave.

Të gjitha këto investime injektojnë para të domosdoshme për ringjalljen e ekonomisë dhe ripunësimin e të papunëve, por, mbi të gjitha, do të krijojnë kushtet për një hov të ri dhe të qendrueshëm të zhvillimit ekonomik të vendit.

Nëse nuk bëhen investimeë të tilla, borxhi që është marrë do të keqshpenzohet në përdorimi joproduktive dhe investime pa vlerë të shtuar.

Kështu ai do të kthehet në mallkim për brezat e ardhshëm, që përveç një ekonomie të prapambetur do të trashëgojnë edhe borxhet e abuzimit të tanishëm.

Njësoj si mallkimi i atij që merr hua dhe vendos që të luajë në kazino për t’i shtuar paratë, por i humb dhe jo vetëm mbetet njësoj i varfër, por edhe me borxhe.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>