Komisioneri i BE-së për Zgjerim Johannes Hahn i ka kërkuar ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së të mbështesin hapjen e negociatave mes Shqipërisë e Maqedonisë dhe BE-së.
Një ditë përpara takimit të ministrave të Jashtëm, që do të zhvillohet më 26 qershor në Luksemburg, Johannes Hahn u shpreh:
“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, – dhe shpresoj që ky është më në fund rasti,- se sa e rëndësishme është dhënia e një sinjali pozitiv në rajon.
Nëse kjo [përpjekja e Shqipërisë dhe Maqedonisë] nuk do të shpërblehet në një mënyrë kuptimplotë, mendoj se do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm dhe të menjëhershëm në stabilitetin e rajonit.”
Deri më tani shumica e shteteve të BE-së janë shprehur pro hapjes së negociatave, megjithatë shteti si Franca, Holanda e Gjermania kanë kërkuar më shumë reforma dhe rezultate të dukshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Vendimi përfundimtar për hapjen ose jo të negociatave do të merret nga Këshilli Europian në Samitin e BE-së që do të zhvillohet më 28-29 qershor. Vendimi duhet te merret me unanimitet nga të gjithë shtetet anëtare.