Komisineri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi në fjalën e tij në Forumin e Bled-it në Slloveni të mërkurën kërkoi të ofrojë garanci për integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbas dështimit në Afganistan të SHBA-ve dhe aleancës së NATO-s.
Të njëjtin qëndrim ai e përsëriti në një koment në rrjetin Twitter.
“Afganistani është larg. Ballkani Perëndimor është këtu dhe përgjegjësia jonë është më e madhe. Ne nuk mund të lejojmë të dështojmë dhe të mos adresojmë të gjitha aspektet e integrimit të rajonit në #BE,”
Megjithatë, Varhelyi nuk e fshehu se deklaratat e tij nuk i drejtoheshin aq vendeve të Ballkanit Perëndimor, aq sa vetë Bashkimit Evropian.
Në rolin e tij si Komisionet i Zgjerimit, ai duket drejtëpërdrejtë i investuar që zgjerimi të vazhdojë dhe shfrytëzoi rastin e Afganistanit për t’i kujtur BE-së se të njëjtin fat mund të kenë edhe vendet e Ballkanit nëse nuk përshpejtohet integrimi i tyre.
“Nuk kemi kohë për të humbur: duhet të marrim vendime për të ecur përpara. Duke argumentuar në favor të #Zgjerimit në #BSF2021.
Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu refuzua për të disatën herë hapja e negociatave të anëtarësimit me BE-në për shkak se Bullgaria i vuri veto kësaj të fundit për një sërë problemesh në lidhje me identitetin dhe historinë.
Bllokimi i Maqedonisë së Veriut ka penalizuar edhe Shqipërinë pasi vende e BE kërkojnë që dy vendet e Ballkanit Perëndimor të mos ndahen në procesin e integrimit.
Së fundmi, kryeminsitri Rama e quajti të “pashpjegueshëm” faktin që Shqipëria është bllokuar në procesin e integrimit europian nga vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut megjithëse në qershor u shpreh se dy vendet duhet të “ecin bashkë” drejt BE-së.