Eurokomisionerja për Drejtësinë: Nëse doni të hyni në BE, braktisni projektin e shitjes së pasaportave

Nga Alice Elizabeth Taylor
Eurokomisionerja për Drejtësinë: Nëse doni të hyni në BE, braktisni projektin e shitjes së pasaportave

Gjatë një konference muajin e kaluar në një hotel luksi në Londër, kryeministri Edi Rama lajmëroi se ai do të shiste nënshtetësinë shqiptare për investitorët e huaj të pasur.

Në shkëmbim të pasaportës shqiptare, përfituesit do të përfitojnë 10 vjet përjashtim nga taksat dhe do të mund të udhëtoj pa viza në Evropë, duke përfituar nga e drejta për lëvizje të lirë në zonën Shengen për shqiptarët.

Problemi është se këto skema janë dënuar gjerësisht nga Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian, MoneyVal, Greco, dhe nga institucione të tjera për shkak të rrezikshmërisë së lartë të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimet e tjera financiare.

Në fakt, në Maltë, pesë shtetas të “rinj” maltezë u arrestuan gjatë vitit të fundit për krime si mashtrimi, pastrimi i parave, kontrabanda, korrupsioni, vjedhja në miliarda euro.

Zyrtarë të qeverisë malteze, përfshi edhe njërin nga të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e gazetares Caruana Galizia, u akuzuan se kanë përfituar rryshfet nga shitja e pasaportave, ashtu siç ka ndodhur edhe në vende të tjera ku zbatohet kjo skemë, si Bullgaria dhe Qipro.

Duke folur përpara një audience që e pagoi biletën me 1,500 paund për të marrë pjesë në këtë konferencë, Rama u tall me të shkuarën komuniste të Shqipërisë dhe pranoi se ai e dinte se vendimi i tij për të shitur pasaportat shqiptare do të shkaktonte probleme me BE-në.

Pavarësisht kësaj, partneriteti me kompaninë Henley & Partners — koncesionari i skemës “pasaporta me para në dorë” në disa vende që kanë pasur lidhje me kompaninë me Cambridge Analytica, duket se po ecën përpara.

Për kuptuar më shumë se cilat mund të jenë pasojat për Shqipërinë nëse ajo përfshihet në këtë skemë, Exit News kontaktoi me Komisioneren Evropiane për Drejtësinë Vera Jurova, e cila ka bërë edhe më parë thirrje për ndalimin e kësaj skeme.

Çfarë mendoni për vendet kandidate për në BE, të cilat nisin të zbatojnë skema për shitjen e pasaportave me para në dorë?

Skemat e nënshtetësisë për investitorë kanë ngritur shqetësim për rreziqet që paraqesin, në veçanti në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin.

Për shkak të perspektivës që qytetarët e këtyre vendeve kandidate do të kenë nënshtetësi të BE-së, nënshtetësia e këtyre vendeve është gjithmonë e më tërheqëse për investitorët.

Kjo gjë tashmë ndodh gjatë procesit të anëtarësimit, ku vendet kandidate apo ato të mundshme për të qenë kandidate krijojnë marrëdhënie më të ngushta me BE-në dhe mund të përfitojnë të drejtën për qytetarët e tyre që të hyjnë pa viza në zonën Shengen për qëndrime afatshkurtra.

Për t’i parandaluar të tilla skema që të mos shkaktojnë rreziqet e përmendura, në procesin e anëtarësimit në BE ka kushte në lidhje me skemat e nënshtetësisë për investitorët.

Vendet kandidate duhet të kenë një sistem monitorimi shumë të fortë, që përfshin edhe sisteme për të luftuar rreziqe të mundshme të sigurisë, si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, korrupsioni dhe depërtimi i krimit të organizuar te këto skema.

Vendet kandidate për në BE, kur përdorin të drejtën e tyre për të dhënë nënshtetësi, duhet të mos marrin asnjë masë që mund ta vërë në rrezik përmbushjen e objektivave të BE-së.

Komisioni Evropian monitoron skemat e nënshtetësisë në kuadrin e procesit të anëtarësimit në BE.

Çfarë mendoni për zbatimin e skemës së pasaportave me para në dorë në vendet kandidate, të cilat gëzojnë edhe lëvizjen e lirë në zonën Shengen, si Shqipëria për shembull?

Ndërkohë që Bashkimi Evropian respekton të drejtën e shteteve sovrane për t’i vendosur vetë procedurat për dhënien e e nënshtetësisë përmes natyralizimit, hyrja pa viza në BE nuk duhet të përdoret si një mjet për të tërhequr investime individuale në shkëmbim të nënshtetësisë.

Zbatimi i skemave të tilla do të merret parasysh kur të bëhet vlerësimi i një vendi të tretë,  i cili mund të konsiderohet për heqjen e regjimit të vizave me BE-në.

Madje vendet e treta që tashmë gëzojnë lëvizjen pa viza duhet të zbatojnë standardet më të larta të mundshme kur bëjnë kontrollet e sigurisë dhe të të shkuarës së atyre që bëjnë kërkesë për skemën e nënshtetësisë. Çdo mangësi në këtë pikë mund të përbëjë një arsye që të rikthehet kërkesa për vizë dhe të pezullohet apo të ndalet fare marrëveshja për lëvizjen e lirë.

Komisioni Evropian e monitoron ndikimin e skemave të nënshtetësisë për investitorët, që zbatohen në vendet që gëzojnë lëvizjen pa viza, si pjesë e mekanizmit që parashikon pezullimin e lëvizjes së lirë.

Çfarë pasojash mendoni se mund të kenë këto skema në vendet ku pastrimi i parasë dhe korrupsioni janë çështje shqetësuese?

Këto skema mund të përdoren për të shmangur procedurën e rregullt për të marrë vizë shengen, si dhe vlerësimin e thellë të rrezikut të një individi për të migruar apo rreziqe për sigurinë, dhe këtu përfshihet edhe shmangia e mundshme e masave për të prandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Cilat janë pasojat për hyrjen në BE për vende si Shqipëria, nëse zbatojnë skema të tilla?

Komisioni Evropian monitoron skemat e nënshtetësisë në kuadrin e procesit të anëtarësimit në BE.

Exit News kontaktoi edhe me delegacionin e BE-së në Tiranë, por ata nuk iu përgjigjën për më shumë se dy javë pyetjeve që u dërguam me email.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>