Europarlamentarja gjermane Viola von Cramon-Taubadel ka deklaruar se Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave dhe tashmë vendimi është në dorën e Parlamentit Europian.
Në një intervistë për Koha.net, Von Cramon-Taubadel, e cila është dhe raportuesja në PE për zgjedhjet në Kosovë, shprehu besimin se nga 1 korriku 2020, kur Gjermania të marrë drejtimin e Këshillit të BE-së, ka më shumë gjasa që Kosovës t’i liberalizohen vizat:
“Kosovarëve duhet t’iu hiqen vizat. Pikë! Kosovarët i plotësuan të gjitha kriteret e kërkuara
Është vetëm Këshilli, qeveritë e shteteve anëtare të cilat nuk kanë dhënë dritën e gjelbër.
I takon Këshillit – e këtu më së shumti Berlinit – që të heqë regjimin e vizave. Kjo pa dyshim është koha e duhur për ta hequr këtë regjim vizash në kohën kur Gjermania do të drejtojë Këshillin e BE-së nga 1 korriku 2020 e tutje. Shpresoj që zonja Angela Merkel më në fund ta shfrytëzojë këtë mundësi.”
Ajo tha se zakonisht heqja e regjimit të vizave bazohet në plotësimin e kushteve teknike dhe jo patjetër në vendimin politik të Këshillit. Megjithatë në mënyrë të pashpjegueshme për të, për Kosovën, ky vendim është shtyrë prej një viti e gjysëm, megjithëse Kosova i ka plotësuar kushtet teknike:
“S’është aspak e drejtë t’i ndryshosh rregullat në mes të lojës! Dhe me të vërtetë ka një mirëkuptim në Parlamentin Evropian për këtë çështje: të gjithë pajtohemi se regjimet pa viza bazohen në kritere të caktuara teknike, dhe jo në vullnetin e Këshillit.
Sapo vendi të jetë gati teknikisht, kjo s’varet më nga vendimi. Në këtë rast, Këshilli po e shtyn vendimin tash një vit e gjysmë.”
Eurodeputetja tha se mes vendeve që kanë kundërshtuar më shumë liberalizimin e vizave për Kosovën ka qenë Franca dhe Holanda, të cilat mendojnë se Kosova ende nuk e ka luftuar siç duhet korrupsinin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë. Po ashtu këto shtete janë të shqetësuar dhe për valën e lartë të emigrantëve të paligjshëm e azilkërkuesve nga Kosova:
“Kam dëgjuar thashetheme se ata kanë frikë nga fluksi i emigrantëve të paligjshëm që punojnë dhe nga ata që kërkojnë azil pa ndonjë arsye të fortë. Por, nëse ky është problemi i tyre, atëherë nuk është faji i Kosovës.
Nëse autoritetet e tyre nuk mund të merren me punëtorë të paligjshëm dhe të zbatojnë rregulloret e tyre, pse atëherë i ndëshkojnë qytetarët e zakonshëm që duan të udhëtojnë, punojnë, vizitojnë ose jetojnë në vendet tjera të BE-së në mënyrë të ligjshme?!”
Eurodeputetja shtoi mes të tjerash se ka shumë presion nga shumë vende për të ecur përpara me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe sipas saj, liberalizimi i vizave do të ishte një sinjal pozitiv kundrejt këtyre presioneve:
“E them me optimizëm të matur: ka presion të madh për shumë vende anëtare për të ecur përpara me integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Sigurisht, hapi më i rëndësishëm do të ishte fillimi i negociatave për pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, për t’i dhënë sinjal pozitiv Kosovës – pra heqja e vizave duhet të jetë mundësi e shkëlqyeshme për të dyja palët.”
Pritet që në samitin e Zagrebit për Ballkanin Perëndimor, më 6-7 maj, liberalizimi i vizave për Kosovën të jetë një nga çështjet e diskutimit.
Që prej vitit 2018, Parlamenti Europian ka votuar disa herë pro rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ky votim shërben për të konfirmuar mandatin për fillimin e bisedimeve me shtetet anëtare të BE-së dhe Kosovës për liberalizimin e vizave.
Pas këtij votimi, fillojnë punën grupet teknike dhe në fund të punës së tyre nevojitet dhe votimi i Këshillit të Ministrave për të miratuar marrëveshja e plotë të liberalizimit të vizave.
Në një rast të zakonshëm, për gjithë këto hapa do të nevojitej 6 muaj kohë, por në rastin e Kosovës votimi në Këshillin e Ministrave të BE-së është shtyrë me një vit e gjysëm.