Në një operacion të përbashkët që përfshin 72 vende, agjencitë e zbatimit të ligjit goditën tregtinë e paligjshme të ushqimit dhe pijeve, duke hequr nga tregu mijëra tonë ushqime.
Autoritetet kryen rreth 68 000 kontrolle, lëshuan 663 urdhra arresti, shkatërruan 42 rrjete kriminale dhe sekuestruan 15 451 tonë produkte të paligjshme me një vlerë prej rreth 53.8 milionë euro gjatë operacionit shtatë-mujor të quajtur OPSON X , i cila filloi në dhjetor, tha Europol.
Ndër produktet më të zakonshme të sekuestruara ishin pijet alkoolike të falsifikuara. Rreth 47 660 litra uiski dhe 9 550 litra pije të tjera alkoolike u kapën në Spanjë nga Guardia Civil. Produktet alkoolike të falsifikuara dhe të bëra në shtëpi janë veçanërisht të rrezikshme, pasi ato shpesh përzihen me metanol, gjë që mund të çojë në verbëri.
Sipas agjencisë evropiane të policisë, shtatë kompani u hetuan gjithashtu për përpjekjen për të tregtuar molusqe dhe guaska të papërshtatshme për konsum njerëzor ndërsa hetimet rezultuan në sekuestrimin e një duzine anijesh peshkimi.
Bastisjet u përqendruan gjithashtu në industrinë e mjaltit të falsifikuar.
“Këto produkte kanë çmim shumë më të ulët se produkti origjinal. Si pasojë, bletarët janë të detyruar të ulin gradualisht çmimet e produkteve origjinale. Kjo mund të rrezikojë aktivitetet e tyre, duke i çuar ata në uljen e prodhimit, si dhe popullatat e bletëve që ata mbajnë,” tha Europol.