Eurosocialistja shqiptare Joleza Koka dhe socialistja europiane Mhairi Black

Eurosocialistja shqiptare Joleza Koka dhe socialistja europiane Mhairi Black

Joleza Koka, 27 vjeç, është kryetare e rinisë eurosocialiste, forumit rinor të Partisë Socialiste. Me ardhjen e socialistëve në pushtet, në vitin 2015, ajo u punësua menjëherë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku punon edhe sot.

Para një jave, në një ceremoni për anëtarësimin e të rinjve në PS, Joleza pati një moment të keq, pasi foli në mënyrë disi të pakuptueshme, në zhargon të përditshëm dhe pa shumë shije. Fjala e saj ngjalli kritika, deri në tallje. Përmes një postimi në Facebook, Jozela iu përgjigj kritikëve me këto fjalë (gabimet drejtshkrimore janë të origjinalit):

Jam kënaqur këto dy ditë me këtë gallatën sepse nëpërmjet kësaj evidentohen 3 lloj karakteresh:

Karakteri i parë janë të rinjtë që fjalimin tim e kritikojnë si të jenë kryekomunarët e portokallisë, njerez me të vjetër në mentalitet dhe se prindërit e tyre.

Të dytët në listë janë gazetarët e PD-së, të cilët duke qenë se pronarët i kanë vënë të prodhojnë lajme vetëm për hiret (e çiljetës), meqenë se në portalet e tyre vetëm ato lajme klikohen, çdo video apo shkrim e lexojnë sipas fantazive rozë të pronarëve të tyre.

Dua të ripersëris atë që kam thënë këtu, në shqipëri në harkun kohor të dhjetë orëve mund të shkëmbehesh me kryetar bashkie, ministra, kryeministra etj, ku në një hapesirë 2 km2 jeton dhe punon gjithë aparatura e shtetit nuk duhet me e marr veten shumë seriozisht. Eshtë për të ardhur keq ndonjëherë që ambiciet e aspirant politikanëve i kalojnë dhe shtrirjen gjeografike të Shqipërisë.

Sa për shtëpitë e ministrave gjysma e këtyre kritikëve i dinë shumë mirë se i kanë çuar të paktën një herë prindërit me nga një cv në dorë ti presin tek dera. (ja dhe karakteri i 3-të!)

Që kështu javë të mbarë, pa strese, suksese në punën tuaj dhe më gjerë.”

 

Mhairi Black, 20 vjeç, është deputetja më e re e parlamentit britanik që prej shekullit të 17-të. Ajo është pjesë e Partisë Nacionaliste Skoceze, e cila në zgjedhjet e majit të 2015-s e zhduku, praktikisht, Partinë Laburiste nga Skocia, duke fituar 53 nga 56 vendet e Skocisë në parlament. Partia Laburiste i kishte fituar të gjitha vendet parlamentare të Skocisë, për dekada të tëra. Mhairi ishte ndër simbolet e kësaj përmbysje në politikën skoceze.

Para pak muajsh, Mhari Black mbajti fjalimin e parë në parlament, ku ndër të tjera u shpreh:

“Së pari, në këtë fjalim të parë në parlament, dua që t’i bëj homazh paraardhësit tim Douglas Alexander. Ai i shërbeu zonës sime elektorale për shumë vite. Unë isha vetëm tre vjeç kur ai u zgjodh për herë të parë. Është për këtë fakt që unë dua ta falenderoj për gjithçka që ai ka bërë për elektoratin. Dua veçanërisht të marr një çast për ta lëvduar për mënyrën dinjitoze me të cilën ai u soll natën e zgjedhjeve, që duhet të ketë qenë për të një natë shumë e vështirë. Me qëndrimin e tij ai i bëri nder vetes, i bëri nder partisë së tij, dhe unë dua t’i uroj më të mirën në të ardhmen.

…Tani dua t’u drejtohem atyre që janë ulur në të njëjtën anë të kësaj salle me mua. Mu bënë dhjetë javë në parlament. Me vetëdije të plotë kam qëndruar e heshtur, deri tani, dhe kam dëgjuar me shumë vëmendje çdo gjë që është thënë. Kam dëgjuar shumë fjalime nga deputetët laburistë, të cilët kanë folur për rritjen shqetësuese të nacionalizmit në Skoci. Por, në fakt, të gjitha këto fjalime nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë dëshmuar se sa e thellë është mungesa e të kuptuarit të Skocisë në rradhët e Partisë Laburiste.

Unë, sikurse shumë anëtarë të Partisë Nacionaliste Skoceze, vi nga një familje trandicionale laburiste. Por unë nuk kam heshtur asnjëherë për bindjen time se ishte partia laburiste që na braktisi ne, dhe jo anasjelltas. Partia Nacionaliste Skoceze nuk triumfoi në një valë nacionalizmi; në fakt nacionalizmi nuk ka asnjë lidhje me atë që ndodhi në Skoci. Ne triumfuam në një valë shprese, në valën e shpresës që ka diçka tjetër, diçka më të mirë sesa politikat neoliberale thaçeriste që prodhohen në këtë sallë parlamenti. Shpresë që përfaqësuesit e popullit vërtet mund të jenë zëri i atyre që nuk kanë zë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>