Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi pak ditë më parë ndërtimin e një ministrie të përbashkët finance për 19 vendet evropiane që përdorin monedhën Euro.
Propozimi i Macron parashikon një ministër financash dhe parlament evropian të riformuar – një ndryshim ky shumë i madh institucional.
Kancelarja gjermane Angela Merkel e mbështeti paraprakisht idenë e Macron.
“E kam bërë të qartë se nuk kam asgjë kundër idesë së një ministri evropian të financave në vetvete. Duhet vetëm të përcaktojmë se çfarë mund të bëjë ky ministër i financave “, u tha Merkel gazetarëve, duke shtuar se kjo mund të lejojë një koordinim më të mirë të buxhetit dhe politikave ekonomike në BE.
Merkel, e cila u takua me Macron më 28 gusht në Konferencën e Ambasadorëve, sqaroi më tej:
“Kjo mund të na bëjë edhe më të qëndrueshme dhe të na lejojë t’i tregojmë botës se ne kemi të gjithë mekanizmat në portofolin tonë të eurozonës për të qenë në gjendje të reagojmë mirë ndaj situatave të papritura”.
Një ministri e tillë do të zhvillohej nga Mekanizmi i Stabilitetit Europian (ESM) – një strukturë shpëtimi e krijuar në vitin 2012 për të ndihmuar në çlirimin e krizës së eurozonës që kërcënonte të copëtojë bllokun e përbashkët të monedhës.
Kancelarja gjermane tha gjithashtu se mbështet idenë e një buxheti për eurozonën për të transferuar para për anëtarët më të dobët të zonës që mund të kenë nevojë për mbështetje gjatë kryerjes së reformave të vështira ekonomike.
“Jo qindra miliarda euro, por vetëm shuma të vogla në fillim me të cilat ne mund të mbështesim vendet që zbatojne reforma”, sqaroi Merkel.
Gjatë fjalës së tij, presidenti Macron gjithashtu u shpreh pro një Evrope që ecën me hapa të ndryshme.
“Ne kemi përparuar gjithmonë me një grup avant-gardës të vullnetit që u pasua nga të tjerët. Ne duhet të imagjinojmë një Europë me disa formate: duke shkuar më tej me ata që duan të përparojnë, dhe duke mos u mabjtur mbrapa nga shtetet që duan të ecin ngadalë dhe jo aq larg”, tha ai.