Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Europa është tashmë epiqendra globale e pandemisë së koronavirusit.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u bëri thirrje shteteve të aplikojnë masa agresive për distancim social në mënyrë që të shpëtohen jetë njerëzish.
Komenti i Ghebreyesus u bë pasi disa vende të BE-së kanë regjistruar këtë javë mijëra raste me koronavirus.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit pati 250 të vdekur në Itali, vend i cili ka regjistruar 1 266 viktima që prej fundit të janarit dhe tashmë ka 17 660 raste me të infektuar.
Spanja është vendi i dytë, pas Italisë, më i godituri në Evropë. Madridi zyrtar raportoi një rritje me 50 për qind të vdekjeve të premten.
Rreth 4 300 raste me koronavirus janë regjistruar në Spanjë, prej së cilave janë regjistruar 122 viktima.
Njësoj rastet janë shtuar edhe në Francë me 2 882 të infektuar dhe 61 viktima, Gjermani 3 150 të infektuar dhe 7 viktima, Zvicra me 1 125, Suedia me 810 etj.
Por pse është Evropa epiqendra e pandemisë?
Më shumë se 132 500 persona janë diagnostikuar me Covid-19 në 123 shtete të ndryshme të botës.
Numri i të vdekurve i ka kaluar 5 000 viktimat, konsideruar nga OBSH si “shifër tragjike”.
Duke hequr Kinën ( me rreth 81 mijë të infektuar), Evropa ka më shumë raste se të gjitha vendet e tjera të botës bashkë.
Nëse në Kinë dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore përhapja po kufizohet, në Evropë shifrat po shtohen dita ditës.
Çfarë po bëjnë vendet e BE-së për ta përballuar situatën?
Shtete të ndryshme si Spanja, apo Italia kanë aplikuar kufizim të lëvizjeve, kanë urdhëruar shpërngulje nga vende pa kushte higjiene dhe në raste të ndryshme kanë bllokuar aktivitetet e industrive deri në 15 ditë.
Vende si Britania e Madhe kanë aplikuar ndalim të fluturimeve me vendet e prekura nga koronavirusi, ndërkohë që Italia ka vendosur karantinë kombëtare.
Dhjetëra shtete kanë mbyllur kufinjtë, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, që sot pas Italisë, bllokoi kufirin me Kosovën dhe Greqinë.
Çekia, Sllovakia, Austria, Ukraina, Hungaria, Rumania, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi janë shtete të tjera.
Së fundmi këtë masë po shqyrton ta ndërmarrë edhe Kosova, e cila regjistroi 2 rastet e para sot.
Pothuajse të gjitha shtetet kanë mbyllur shkollat, kanë bllokuar aktivitetet sportive, kulturore dhe sociale.
Italia dhe të paktën Parisi në Francë janë për herë të parë pa turistë. Muzeu i Louvre-it u mbyll të premten bashkë me Kullën Eiffel.
Si është situata në vendet e tjera?
Në SHBA Presidenti Trump ka vendosur të ndalojë fluturimet me 26 vende të Evropës, çka përhapi mjaft pakënaqësi dhe konfuzion.
Në Kanada është pezulluar aktiviteti i parlamentit ndërsa është bërë thirrje të kufizohen lëvizjet.
Kryeministri Trudeu u vetëizolua pasi e shoqja rezultoi e infektuar me koronavirus.
Në Australi Ministri i Jashtëm Peter Dutton u shtrua në spital pasi rezultoi i infektuar. Së fundmi kishte udhëtuar në Washington dhe kishte takuar të bijën e Presidentit Trump, Ivankën, e cila është vënë në karantinë.
Pakistani ka bllokuar të gjithë kufirin tokësor dhe ka kufizuar fluturimet për 15 ditë, pasi Irani njoftoi 85 viktima të tjera gjatë 24 orëve të fundit duke e çuar bilancin në 514 të vdekur, mediat ndërkombëtare druajnë se shifrat mund të jenë shumëherë më të larta.