Evropa refuzon kërkesat për azil të shqiptarëve, vetëm 3,17 për qind pranohen

Evropa refuzon kërkesat për azil të shqiptarëve, vetëm 3,17 për qind pranohen

Vetëm 3,17 për qind e kërkesave të shqiptarë për azil në shtetet e BE-së janë pranuar gjatë vitit 2016.

Sipas të dhënave të Eurostat, në një raport për dhënien e statusit të mbrojtjes nga gjykatat e 28 shteteve, nga mbi 43 mijë kërkesa për azil, vetëm 1375 prej tyre janë pranuar.

Numri më i lartë i kërkesave për azil nga shqiptarët ka qenë në Gjermani, me 32 100 kërkesa. Por vetëm 170 prej tyre (rreth 0,52 për qind) prej tyre janë pranuar.

Në vend të dytë renditet Franca e cila ka  marrë 5330 kërkesa për azil nga shqiptarët dhe ka pranuar 750 prej tyre (rreth 14,07 për qind). Ndërsa në vend të tretë, si shteti më i preferuar nga shqiptarët për të kërkuar azil është Anglia, me 1090 kërkesa vetëm në vitin 2016.

Shqipëria bën pjesë në vendet e sigurta për jetën e njeriut, pra vend jo në situatë lufte apo konflikti, ndaj kërkesat e shqiptarëve për azil nuk kanë përparësi.

Një tjetër shkak për rënien e pranimit të azilkërkuesve në rastet kur jeta e tyre nuk kërcënohet, janë dhe politikat bllokuese që ndjekin vendet e BE-së ndaj emigrantëve, pas sulmeve terroriste që kanë ndodhur, shumica të kryera nga azilantë apo refugjatë.

Ndërkohë, qytetarëve kosovarë i është dhënë statusi i mbrojtjes nga gjykatat evropiane në vetëm 4,9 për qind të rasteve, atyre serb në 1,7 për qind të rasteve, e maqedonasve në 0,6 për qind të rasteve.

Sipas raportit, grupi më i madh i përfituesve të statusit të mbrojtjes në BE, në vitin 2016, janë sirianët (405 600 personat), pasuar nga irakenët (65 800 persona) dhe afganët (61 800 persona). Shumica e këtyrë qytetarëve e kanë përfituar statusin e mbrojtjes nga gjykatat gjermane.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>