Exit News, intervistë me tre sizmiologë britanikë

Nga Alice Elizabeth Taylor
Exit News, intervistë me tre sizmiologë britanikë

Pas tërmetit me magnitudë 6.3 ballë që goditi vendin, ka pasur disa pasgoditje, disa me madhësi të lartë deri në 5.4 Rihter. Numri i viktimave është 51, mbi 700 të tjerë të dëmtuar. Shumë qytetarë kanë mbetur pa shtëpi dhe qindra të tjerë nuk kthehen në shtëpi sepse janë të frikësuar duke ndjerë paslëkundjet ende të fuqishme.

Exit.al foli me Dr. Stephen Hicks, kërkues në Fakultetin e Inxhinierisë në Kolegjin e Londrës, Dr. Wendy Bohon gjeologjistë në Institutin Kërkimor për Sizmiologjinë, dhe Remy Bossu Sekretar i Përgjithshëm i Qendrës Sizmiologjike Evropiane -Mesdhetare dhe bashkëkrijues i aplikacionit Last Quake.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, sa janë gjasat që një tërmet me magnitudë të njëjtë të ndodhi në ditët dhe në javët në vijim?

Stephen: Pas një tërmeti, ne presim shumë tërmete — ne i quajmë këto paslëkundje. Rregulli është se pas tërmetit, paslëkundja më e madhe është një njësi më pak se magnituda e tërmetit kryesor — e cila njihet si “Ligji i Bathit” — pra tërmeti ishte i magnitudës 6.4 Rihter dhe paslëkundja pritet të jetë 5.4 Rihter.

Në fakt në vend ka patur paslëkundje me magnitudë 5.4 Rihter. Sidoqoftë jo të gjitha paslëkundjet e ndjekin këtë ritëm, dhe mund të ndodhin paslëkundje edhe më të forta — megjithëse ky skenar ka pak mundësi të ndodhë.

Numri i paslëkundjeve mund të ulet me kohën sipas ligjit të njohur të ‘Omorit’. Shpeshtësia e paslëkundjeve do të ulet me kohën — ciladoqoftë mundësia e paslëkundjeve ditën e parë, ditën e dytë do të ketë 50 përqind mundësi më pak të ndodhë se ditën e parë dhe ditën e dhjetë do të ketë mundësi 10 përqind më pak se ditën e parë.

Wendy: Gjasat që të ndodhi një tjetër tërmet i të së njëjtës magnitude janë të vogla. Sidoqoftë, paslëkundjet do të vazhdojnë. Paslëkundjet janë tërmete që ndodhin pas goditjes kryesore ose tërmetit më të madh dhe ato mund të shkaktojnë dëme, në veçanti tek objektet e dëmtuara.

Remy: Në pjesën më të madhe të rasteve, nuk ka një tërmet të dytë më të madh ose sa tërmeti i parë. Çdo tërmet gjeneron paslëkundje dhe ato do të vazhdojnë për ditë dhe për javë të tëra, por numri i paslëkundjeve në Tiranë ka filluar të ulet. Një goditje e madhe ka shumë pak gjasa të ndodhi, por asnjëherë nuk mund të përjashtohet si mundësi. Si rregul pas disa muajsh madhësia e goditjeve ulet dhe toka kthehet në gjendjen normale.

Ky është një nga tërmete më të forta që ka goditur zonën, që prej shumë vitesh. Pse ndodh kjo? A mund të themi që një tërmet i tillë nuk do të përsëritet edhe për shumë vite?

Stephen: Fatkeqësisht, ne nuk mund të parashikojmë kohën dhe vendin e tërmeteve. Në përgjithësi, tërmetet shkaktohen nga çlirimi i papritur i energjisë së grumbulluar, e cila shkakton krijimin e valëve sizmike (dallgëve sizmike), duke shkaktuar dridhje të tokës. Disa sekuenca të tërmetit mund të ndodhin brenda një afati kohor të shkurtër (ditë, muaj ose vite) ndërkohë që të tjerë mund të ndodhin edhe pas 100 vitesh. Pa një hartë të detajuar të pllakave të tokës dhe lëvizjes së tyre, ne nuk mund të parashikojmë asgjë.

Wendy: Kjo zonë goditet shpesh nga tërmete të kësaj magnitude. Ky është tërmeti i nëntë me magnitudë 6 të shkallës Rihter, që prej vitit 1905. Kjo ndodh për shkak të shtypjes tektonike të kores së tokës që zgjatet nga jugu i Kroacisë deri në Greqi. Kur korja e tokës shtypet, ajo prodhon të çara dhe palosje, duke shkaktuar tërmete.

Remy: Ka pasur edhe më parë tërmete të fuqishme në Shqipëri. Për shembull në vitin 1979, Shqipëria u godit nga një tërmet me madhësi 7 të shkallës Rihter. Pra ky aktivitet është normal për rajonin. Fatkeqësisht, nuk ka një periodicitet në ndodhjen e tërmeve. Pra as ne dhe as askush tjetër nuk mund të parashikojë se kur do të ndodh një tërmet.

Pse Shqipëria po goditet nga disa tërmete kohët e fundit?

Stephen:Tërmetet në Shqipëri dhe në përgjithësi në rajonin e Adriatikut Lindor ndodhin për shkak të deformimit të shpejt të pllakës tektonike, në veçanti, përplasjes në veri të pllakës së Afrikës me pllakën tektonike Euroaziane.

Kjo përplasje lidhet me mbylljen graduale të detit Adriatik, duke rezultuar në gabime në vendosjen e pllakave përgjatë bregdetit të Adriatikut. Një nga këto gabime ndoshta shkaktoi tërmetin e 26 nëntorit.

Nuk ka probabilitet statistikor domethënës në ndryshimin e aktivitetit sizmik me kalimin e kohës. Natyrisht, tërmetet janë të paparashikueshëm, dhe ne jo gjithmonë kemi katalogun historik të tërmeteve, instrumentat matëse datojnë që në vitin 1970, ndaj ne jo gjithmonë jemi të aftë të krahasojnë aktivitetin sizmik gjatë gjithë kohës në rajon.

Remy: Ka pasgoditje të cilat janë normale pas tërmetit me magnitudë 6. Në këtë rast shumë nga pasgoditjet janë afër me zonat e banuara duke bërë që edhe pasgoditjet me magnitudë të vogël të ndjehen. Kjo është një situatë shumë e vështirë për tu përballuar psikologjikisht. Kjo vështirësi njihet kudo: të gjitha këto pasgoditje kanë një kosto psikologjike tek qytetarët.

Çfarë masat duhet të marrë qeveria për tu përgatitur për këto ngjarje në të ardhmen?

Stephen:Tërmetet e forta janë të rralla, por ato mund të kenë impakt të lartë duke shkaktuar vdekje, dëmtime si dhe dëme financiare të mëdha për rajonin.

Ndaj është e rëndësishme të investosh në kërkimet sizmiologjike të zonës përpara se të ndodhi tërmeti, për të identifikuar llojet e ndërtesave, gabimet që mund të sjellin çarje me një magnitudë të caktuar.

Gjithashtu, ne shpesh themi: “Tërmetet nuk vrasin njerëz. Ndërtesat po”, ndaj është e rëndësishme të kemi një kod rregullator për ndërtesat dhe të përmirësojmë ndërtesat e vjetra, duke i përshtatur ato me sistemet e reja, në mënyrë që të përballojnë goditjet.

Wendy: Gjëja më e mirë që qeveria mund të bëjë është të forcojë sistemin ligjor të ndërtimit, që ato të mos rrëzohen gjatë tërmeteve.

Remy: Nuk duhet të përgatitet vetëm qeveria, por edhe vetë qytetarët. Qeveria duhe të forcojë legjislacionin e ndërtimit, përgatitjen dhe përgjigjen ndaj tërmetit, etj.

Qytetarët duhet gjithashtu të përgatiten: të sigurohen se nuk kanë objekte të rënda mbi komedina, të kenë një plan për evakuimin, të mësojnë se si duhet të reagojnë dhe çfarë duhet bërë në rast të një tërmeti të fortë.

Është e rëndësishme të theksohet se Instituti Kombëtar i Sizmiologjisë në Shqipëri  ka bërë një punë fantastike pavarësisht kushteve të vështira. Ne i bazohemi tek të dhënat e tyre për të përditësuar aplikacionin Last Quake.

Çfarë duhet të bëjnë qytetarët në rast tërmeti?

Stephen: Varet nga tipi i ndërtesës. Në vende si SHBA-të, rekomandohet të ulesh, mbrohesh dhe mbahesh pas një tavoline apo kornize dere, sepse shumë njerëz dëmtohen nga rënia mureve. Por nëse ndërtesa është e ndjeshme ndaj goditjeve dhe ka gjasa të shkatërrohet, më e mira është të qëndrohet jashtë saj dhe larg objekteve që bien.

Do të rekomandoja që njerëzit në këto zona të përgatiten (të kenë elektrik dore rezervë, kutinë e ndihmës së shpejtë dhe rezerva ushqimore në rast të një tërmeti të madh). Njerëzit duhet të jenë të vemendshëm ndaj këshillave të organizatave të monitorimit të tërmeteve. Disa sharlatanë në internet shpesh pëhapin thashetheme për parashikimin e tërmetit, të cilat shpërndahen shpejt. Kjo është e gabuar – tërmetet nuk parashikohen. Është mirë që të gjithë të jenë të përgatitur në të ardhmen.

Wendy: Nëse ndodhesh brenda ndërtesës kur ndjen lëkundjet e tërmetit, ulu dhe futu poshtë një objekti të fortë si tavolina. Sapo të mbarojnë lëkundjet dhe levizja është e sigurt, dil nga ndërtesa. Nxito, por me kujdes, qendro larg çdo gjëje që mund të rrëzohet si ndërtesa, linjat e energjisë apo degët e pemëve.

Remy: Përgjithësisht këshillohet të qëndrohet brenda, të mbrohesh gjatë lëkundjes (poshtë një tavoline të fortë) dhe më pas të dalësh jashtë. Pse? Sepse nëse mundohesh të dalësh jashtë gjatë një tërmeti shumë objekte nga tarraca apo ballkoni mund të të godasin dhe mundësia për tu dëmtuar nga këto objekte është më e lartë se shembja e ndërtesës. Për këtë arsye është e rrezikshme të lëvizësh gjatë lëkundjeve.

Për më tepër, nëse dëgjoni dikë duke thënë se ka parashikuar tërmetin, injorojeni pasi është e pavërtetë dhe thjesht nxit panik. Mënyra më e mirë për të përballuar panikun është të dish çfarë të bësh në rast tërmeti, të jesh gati, si dhe të jesh i informuar.

Të tre të intervistuarit shprehin solidaritetin me shqiptarët në këtë kohë të vështirë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>