Marrëveshja e arritur para pak ditësh në Këshillin Politik ka mbuluar tre çështje kryesore të cilat shpjegohen më poshtë.
1.Data e zgjedhjeve
Data e zgjedhjeve do të caktohet në harkun kohor nga data 15 prill deri në 15 maj.
2. Identifikimi biometrik i votuesve
Palët kanë rënë dakord që të fillojnë ndërtimin e një sistemi për identifikimin biometrik të votuesve, duke shpresuar se ai mund të jetë gati në kohë për t’u përdorur në zgjedhjet e ardhshme.
Kur ky sistem të jetë gati, votuesit do të identifikohen duke paraqitur kartën e tyre përmes leximit elektronik të kartës së identitetit ose pasaportës me anë të një makinerie lexuese. Duke qënë se sistemi do të jetë krejtësisht i integruar, kjo metodë bën të pamundur përdorimin e një karte më shumë se një herë, duke garantuar kështu që një person voton vetëm një herë.
Sidoqoftë, duke qenë se ndërtimi, testimi dhe bërja funksionale e një sistemi të tillë të shtrirë në mbi 5 500 qendra votime në të gjithë vendin, kërkon kohë gjasat janë shumë të pakta që ai të përdoret në këto zgjedhje. Vetë OSBE-ODIHR mendon se në rastin më të mirë ai mund të përdoret në jo më shumë se një të pestën e të gjitha qendrave të votimit.
3. Ristrikturimi i KQZ-së
Aktualisht KQZ përbëhet nga shtatë anëtarë të cilët janë përgjegjës për nxjerrjen e vendimeve, rregulloreve dhe procedurave për administrimin e procesit zgjedhor në zbatim të Kodit Zgjedhore dhe ligjeve të tjerë; organizimin tekniko-administrativ të procesit të votimit, përmes administratës së KQZ-së; dhe shpalljen e rezultateve zgjedhore, përfshi shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të komisioneve zgjedhore vendore dhe komisioneve të qendrave të votimit.
Me marrëveshjen e arritur, KQZ do të përbëhet nga tre trupa të shkëputura dhe të pavarura nga njëra tjetra, secila përgjegjëse për një nga aspektet e mësipërme.
Një trupë e përbërë me pesë anëtarë, e quajtur trupa rregullatore, do të jetë përgjegjëse për nxjerrjen e vendimeve dhe rregullave për administrimin e zgjedhjeve. Mandati i anëtarëve të saj do të jetë 5 vjeçar. Kjp trupë shqyrton dhe miraton projekt-aktet e përgatitura nga administrata e KQZ-së për:
a) kufijtë e zonave të administrimit zgjedhor;
b) numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend;
c) përdorimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit për të mbuluar aspekte apo procedura të veçanta të procesit zgjedhor, ose heqjen e tyre nga përdorimi;
ç) zhvillimin për herë të parë të votimit nga jashtë vendit;
d) rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në shkallë vendi
Një trupë tjetër, e quajtur trupa ankimore, e përbërë po nga pesë anëtarë, të ndryshëm nga ata të trupës së parë, do të gjykojë ankimimet ndaj vendimeve të organeve më të ulta zgjedhore.Mandati i anëtarëve të saj është 9 vjeçar. Kompetencat kryesore të kësaj trupe janë:
a) vendos për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve, në një ose më shumë qendra votimi, në një ose më shumë zona zgjedhore apo në të gjithë vendin, si dhe për përsëritjen e pjesshme ose të plotë të zgjedhjeve;
b) shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat ndaj akteve të Komisionerit;
c) shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat e subjekteve zgjedhore ndaj vendimeve të KZAZ-eve;
ç) vlerëson performancën e zyrtarëve zgjedhorë
d) vendos masa disiplinore sanksione administrative kundër subjekteve/kandidatëve
Së fundmi, një person i quajtur Komisioneri Shtetëror, i ndihmuar nga një zëvendës, do të jetë organi ekzekutiv dhe do të jetë përgjegjës për organzimin tekniko-adminsitrativ të zgjedhjeve në përputhje me ligjet dhe vendimet e trupës rregullatore të KQZ-së. Të dy këto institucione kanë mandat 7 vjeçar.
Komisioneri Shtetëror ka këto kompetenca:
a)Drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e administratës zgjedhore përgjatë zgjedhjeve dhe referendumeve
b) Vë në lëvizje trupën rregullatore dhe ankimore
c) Emëron dhe shkarkon anëtarët e KZAZ-ve
d)Miraton shpërndarjen e mandateve në zgjedhjet për Kuvendin dhe për këshillat vendore, si dhe jep mandatet për çdo deputet
Anëtarët e të tre këtyre organeve duhet të marrin 3/5 e votave në Kuvend. Nëse kandidatët nuk arrijnë këtë shumicë do të zgjidhen me short.
4. Kolegji zgjedhor
Kolegji zgjedhor është organi që gjykon ankimimet ndaj vendimeve të KQZ-së. Ai do të mbetet i pandryshuar dhe do të përbëhet nga tetë anëtarë të zgjedhur nga trupa e gjyqtarëve të apelit. Palët kanë rënë dakord që në Kolegj të përzgjidhen vetëm anëtarë që kanë kaluar procesin e vetingut.