Facebook do të paguajë një gjobë prej 5 miliardë dollarësh për shkelje të rregullave të privatësisë.
Vendimi u mor sot me shumicë votash nga Komisioni Federal për Tregti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Rrjeti social ka shkelur rregullat e privatësisë duke i dhënë kompanisë së konsulencës “Cambridge Analytica” qasje në të dhënat e miliona përdoruesve të Facebook. Një pjesë e këtyre të dhënave mendohet se janë përdorur për të profilizuar psikologjikisht votuesit e SHBA-ve me qëllim servirjen ndaj tyre të artikujve politikë që mund t’i ndikonin ata të votonin për Donald Trump në zgjedhjet presidenciale.
Të dhënat personale u morën nëpërmjet një quizi, i cili i ftonte përdoruesit të gjenin llojin e tyre të personalitetit.
Hetimet për këtë çështje kanë nisur që në mars 2018 kur u zbulua se Cambridge Analytica për qëllime politike kishte marrë në zotërim të dhënat e rreth 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut.
Hetimet u përqendruan për të zbuluar nëse Facebook kishte shkelur apo jo marrëveshjen e vitit 2011, sipas së cilës kërkohej të njoftonte qartë përdoruesit e rrjetit social dhe të kërkonte “pëlqimin e tyre” për të ndarë të dhënat e tyre me palë të treta.
Kjo është gjoba më e madhe e vendosur ndonjëherë kundër një kompanie hi-tech.
Më herët rekordin e mbante gjoba e vënë ndaj Google-it në 2012-ën, në vlerën e 22,5 milionë dollarëve.