Facebook konfirmon ndalimin e përmbajtjeve të lidhura me talebanët

Nga Exit News
Facebook konfirmon ndalimin e përmbajtjeve të lidhura me talebanët

Pushtimi i shpejtë i Afganistanit nga talebanët paraqet një sfidë të re për kompanitë e mëdha të rrjeteve sociale në trajtimin e përmbajtjes të krijuar nga një grup i konsideruar si terroristë nga disa qeveri botërore.

Facebook konfirmoi të hënën se ka ndaluar talebanët dhe çdo përmbajtje që e mbështet ata nga platformat e tij pasi e konsideron grupin si një organizatë terroriste, raporton Reuters.

Kompania thotë se ka një ekip të dedikuar ekspertësh afganë për të monitoruar dhe hequr përmbajtjen e lidhur me grupin.

Për vite me radhë, talebanët kanë përdorur mediat sociale për të përhapur mesazhet e tyre.

Facebook theksoi se politika zbatohet për të gjitha platformat e saj, përfshirë rrjetin e saj kryesor të mediave sociale, Instagram dhe WhatsApp.

Platformat rivale të mediave sociale janë vënë gjithashtu nën vëzhgim se si ata trajtojnë përmbajtje të lidhura me talebanët.

Zëdhënësit kanë përdorur Twitter për të azhurnuar qindra mijëra ndjekësit e tyre, pasi organizata rimori kontrollin mbi Afganistanin.

Në përgjigje të pyetjeve të BBC në lidhje me përdorimin e Twitter nga talebanët, një zëdhënës i kompanisë theksoi politikat kundër organizatave të dhunshme dhe sjelljeve të urrejtjes.

Sipas rregullave të tij, Twitter nuk lejon grupe që promovojnë terrorizmin ose dhunën kundër civilëve.

Kthimi i talebanëve ka ngritur frikën se do të godasë lirinë e fjalës dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e grave, dhe se vendi mund të bëhet një strehë edhe një herë për terrorizmin global.

Zyrtarët talebanë kanë lëshuar deklarata duke thënë se duan marrëdhënie paqësore ndërkombëtare dhe kanë premtuar se do të mbrojnë afganët.

Firmat kryesore të mediave sociale këtë vit morën vendime të profilit të lartë për trajtimin e udhëheqësve dhe grupeve botërore në pushtet.

Këto përfshijnë pezullimin e llogarive të ish -presidentit amerikan Donald Trump për nxitje të dhunës rreth trazirave të Kapitolit të 6 janarit dhe ndalimet ndaj ushtrisë së Mianmarit në mes të një grushti shteti në vend.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>