Fajin e ka Edi!

Mjaftoi një shi pak i rrëmbyeshëm fundjavën e shkuar që autostrada Tiranë-Durrës të përmbytej duke u bërë e paudhëtueshme. Përmbytja nuk kishte ndodhur më parë, por rikonstruksioni që iu bë vitin e shkuar autostradës dëmtoi infrastrukturën e kullimit.

Duke perifrazuar një shprehje të famshme: Fajin e ka Edi. Rehabilitimi i një pjese të autostradës Tiranë-Durrës ishte një projekt arbitrar e klientelist i Kryeministrit Rama. Ishte një ndër ato shumë ndërhyrjet që bëhen vetëm e vetëm për kënaqjen e tekave dhe vullnetit të tij të paepur për t’i imponuar gjithë vendit e shoqërisë shijet e tij personale.

Rehabilitimi nuk u konceptua dhe nuk u realizua në bazë të vlerësimit të nevojave dhe të analizës teknike dhe ekonomike. Për të nuk u përgatit asnjë projekt i mirëfilltë teknik dhe ekonomik.

Këto elementë të domosdoshëm administrativë e ligjorë u zëvendësuan me urdhrat dhe udhëzimet arbitrare të Kryeministrit, i cili vendosi pothuajse për çdo element të rikonstruksionit: formën, lartësinë dhe madhësinë e ndarjes mesore; llojin dhe numrin e pemëve anësorë; distancën e tyre nga rruga dhe nga njëra-tjetra; ngjyrën e gurëve mbrojtës; etj. Si zakonisht, Kryeministri Rama bëri njëkohësisht Kryeministrin, Ministrin e Transportit, Drejtorin e Përgjtihshëm të Rrugëve, projektuesin, inxhinjerin e ndërtimit, inxhinjerin e transportit, inxhinjerin e ujrave, arkitektin, estetistin, etj.

Po si zakonisht, Kryeministri vendosi, gjithashtu, edhe se kush do t’i siguronte dhe mbillte palmat: kompania që bëri “falas” kopshtin e Kryeministrisë dhe kopshtin e vilës së tij në Surrel (të dyja pa asnjë faturë fiskale e pa lënë asnjë gjurmë formale).

Rezultati i ndërhyrjes amatore dhe arbitrare ishte i pritshëm e i natyrshëm: u dëmtuan edhe më shumë standartet e dibta teknike të autostradës – doli jashtë përdorimit sitemi i kullimit; u ngushtuan pjesët anësore të sigurisë; nuk u respektuan standartet për distancat e pemëve nga traseja e rrugës, dhe, më skandalozja, u vendosën kërpudhave mbrojtëse prej betoni anash trasesë (me sa duket për të mbrojtur palmat nga makinat që mund të dalin nga rruga).

Ristrukturimi estetik e bëri më të rrezikshëm udhëtimin në autostradë, veçanërisht për shkak të zvogëlimit të pjesës anësore të sigurisë dhe afërsisë së palmave me rrugën.

Kjo qe arsyeja që specialistët e transportit, fillimisht, vendosën që shpejtësia maksimale në autostradë të ishte 60 km në orë. Ekspertët e Ministrisë së Transportit ju bindën tekave të Kryeministrit për ta bërë autostradën siç donte ai, por u treguan të kujdesshëm që tekat kryeministrore të mos shkaktonin dëme e viktima.

Por ngaqë shpejtësia e ulët në rrugën me të ngarkaur në vend i irritoi njerëzit, limiti u rrit në 90 km në orë. Dikush vendosi që mjaft të mos acarohen njerëzit, pa le të thyhet ndonjë qafë.

Mos e dhëntë zoti të ndodhë. Sepse fakti që fajin e ka Edi nuk mund të jetë ngushëllim për asgjë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>