Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka konfirmuar edhe një herë sot se opozita nuk do të kërkojë ndryshimin e sistemit të tanishëm zgjedhor, duke u mjaftuar me ndryshime të natyrës administrative.
Gjatë një dalje para mediave sot mbasdite, Zoti Basha madje është shprehur se sistemi i tanishëm është një ndër më të mirët për të garantuar votën e lirë.
“Shqipëria edhe kështu edhe pa këto ndryshime, ka një ndër kodet zgjedhore më të mira për të ruajtur votën, për të garantuar lirinë e votës, por nga teoria në praktikë në këto 7 vite deti është bërë oqean”.
Është një ndryshim total nga qendrimi i tij në një takim të para një viti me shoqërinë civile, ku Zoti Basha deklaroi se ndryshimet e vitit 2008, të bërë për të shmangur futjen e kriminelëve në parlament, u vertetuan se ishin një dështim total. Zoti Basha u shpreh atëhere se:
“Shkuam tek sisemi proporcional rajonal per t’i shpetuar 2-3 kriminelëve që ishin futur në parlament, u bënë 12, 14, 16, 19.”
Që atëhere duket se zoti Basha është bindur se në fakt futja në Kuvend e kriminelëve nuk ka të bëjë fare me sistemin por vetem me Edi Ramën.
“Nuk është problem sistemi por problem i njeriut që është i lidhur me krimin.
… Ndryshimi i sistemit nuk i zgjidh këto problem. Jemi të hapur për çdo sistem. Po të dojë le ta zgjedh edhe Edi Rama. Le ta zgjedhin shqiptarët. Por, të mos kenë iluzion se çdo sistem do të bjerë dhe do të jetë zhgënjim pa u ndarë politika nga krimi, pa ndëshkuar krimet elektorale. Këto janë propozimet tona”.
Prandaj është shprehur Zoti Basha, edhe pse ai preferon një sistem të pastër maxhoritar, opozita ka vendosur të mos e prekë sistemin e tanishëm zgjedhor, por të përqendrohet në betejën për votën e lirë. Zoti Basha u shpreh:
“Unë nuk kam problem të shkoj kështu si jemi në zgjedhje, por a do të arrini të votoni dot ju? Ose do të ketë votime të lira dhe të pakërcënuar, të mos ketë shit blerje të votash. Beteja do vazhdojë derisa të sigurohet kjo”.