“Fajin e ka Saliu”

“Fajin e ka Saliu”

Biznesmenët Mane dhe Frangaj kanë filluar ndërtimin e një pallati brenda një kompleksi rezidencial në bregdetin e Qerretit, në Kavajë. Mediat dhe qytetarë të ndryshëm janë revoltuar nga ky zhvillimi, i cili dëmton jo vetëm interesat e banorëve të kompleksit por edhe interesin më të gjerë publik pasi betonizon edhe më shumë një nga zonat më të rëndësishme bregdetare në vend.

Aleksandër Frangaj është kundërpërgjigjur duke deklaruar se ai është në të drejtën e tij legjitime të ndërtojë, pasi është pronar i truallit dhe ka leje për të ndërtuar. Të dyja këto pretendime janë të vërteta. Në fakt, thelbi i problemit nuk është që Zoti Frangaj ka filluar të ndërtojë, por si ka arritur ai që të bëhet pronar i një toke në bregdet dhe të marrë leje ndërtimi në shkelje me çdo interes publik.

Ky zhvillim nxjerr në pah një nga anët më të errëta të qeverisjes Berisha: për të plotësuar etjen e tij për të qëndruar në pushtet, ish-kryeministri Berisha qe gjithmonë i gatshëm të shiste dhe shpesh herë shiti interesat publike tek ata që i siguronin mbështetje politike. Rasti i Zotit Frangaj është ndër më të dukshimit: ish-Kryeministri Berisha urdhëroi apo miratoi një sërë aktesh klienteliste – fallsifikime, vendime arbitrare, shkelje flagrante ligjore – të cilat i dhanë klientit të tij Frangaj prona publike e private miliona euroshe, në disa nga zonat më të lakmaura të vendit. Pjesa më e madhe e territorit dhe godinave të ish-Kinostudios, një pjesë e madhe e aneksit të Stadiumit Qemal Stafa, toka në bregdet janë vetëm disa nga pasuritë që Zoti Berisha i dha në mënyrë të dyshimtë Aleksandër Frangajt.

Ndaj më e drejtë sesa t’i kërkohet përgjegjshmëri Aleksandër Frangajt sot, do të ishte të ngrihej zëri kundër ish-kryeministrit Berisha, që qeverisi në mënyrë klienteliste dhe korruptive duke shkatërruar interesa të mëdha kombëtare dhe private në favor të  mbajtjes së pushtetit

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>