Një tjetër vit, një tjetër Ditë Ndërkombëtare Kundër Homofobisë (IDAHO), një tjetër artikull i imi që vlerëson përparimin e të drejtave LGBT në Shqipëri. Paralajmërim: Nuk është i këndshëm.
Kur vitin e shkuar, kritikova në blogun tim reklamën e madhe që ju bë “martesës së parë gej” në Shqipëri—e cila, në fakt, nuk kishte lidhje fare me Shqipërinë dhe u zhvillua në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar sipas ligjit britanikut—si dhe aktivitetet për mbledhje fondesh sipas stilit amerikan, me anë të të cilave disa organizata LGBT prostituonin veten e tyre para komunitetit të të huajve, mora jo pak kritika nga përfaqësues të këtyre organizatave (të cilët, ndonjëherë, janë aq pak gej, sa është më e drejtë t’i quajmë “aleatë”). Natyrisht, jo publikisht, por privatisht me email. Përtej sulmeve personale, mesazhi i tyre ishte, pak a shumë: Pse i bën publike kritikat e tua, le t’i mbajmë ato brenda “shtëpisë”. A thua se debati i shëndetshëm publik rreth strategjive dhe ideve rreth emancipimit të LGBT është diçka që “kundërshtarët” tanë nuk duhet ta shohin—sikur të ishte një shenjë dobësie.
Fatkeqësisht, edhe këtë herë mund të dukem një idealist idiot, sepse disa nga ngjarjet që shoqëruan Ditën Kundër Homofibisë të këtij viti treguan edhe më qartë kapitullimin e plotë të lëvizjes shqiptare LGBT para “aktivizmit” imperialist, Perëndimor, i rritur në kujdesin e donatorëve — një term që në këtë kontekst dua ta përdor me sa më shumë thonjëza ironike.
Më 12 Maj, mora një email nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), galeria private dhe skena e të gjitha llojeve të propagandës e Kryeministrit Edi Rama. Emaili më ftonte në një aktivitet për Ditën LGBT, ku do të shfaqej dokumentari SkanDal dhe do të kremtoheshin “Aleatët LGBT të Vitit”. Me këtë rast, logojo e COD-it ishte shndërruar në një imazh vizash vertikale me ngjyrat e ylberit, ndërsa logot e organizatave LGBT të cilat organizonin aktivitetin nuk ishin përfshirë.
Pyetja që lind natyrshëm është se për çfarë arsye në botë lëvizja LGBT ka dashur të organizojë një aktivitet në një hapësirë e cila është projektuar qartazi si makineri për promovimin personal të Edi Ramës dhe qeverisë së tij?
Le t’i sqarojmë gjërat: 1) Edi Rama, gjatë fushatës elektorale 2013, premtoi se do të miratonte ligjin e partneritetit; 2) ky ligj u bllokua personalisht nga ish-Ministri i Drejtësisë Nasip Naço; 3) ish-Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, tashmë Kryetar i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj deklaroi, megjithatë, se ligji kishte kaluar; 4) ligji nuk u diskutua kurrë më; 5) amendamentet e propozuara të Kodit Penal, Ligjit të Azilit apo Ligjit të Punës nuk u morën asnjëherë parasysh; 6) në total, ndihma e qeverisë për të drejtat e lëvizjes LGBT ka qënë gati zero.
Le të shohim karakterin e tanishëm moral të qeverisë së Edi Ramës, partisë së tij dhe aleatëve të tij. Ja disa informacione të zgjedhura rastësisht vetëm nga java e kaluar: Kryetari i Bashkisë Kavajë Elvis Roshi është nën hetim sepse “ka harruar” të shkuarën e tij kriminale në Gjermani; Kryetari i Bashkisë Kukës Shukri Xhelili u akuzua sepse kërkonte favore seksuale në shkëmbim të vendit të punës; Drejtori i Transportit Rrugor në Sarandë Kelmend Balili duket se është një nga baronët më të mëdhenj të drogës me lidhje të ngushta me qeverinë; Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj po shkatërron monumentin natyral të Parkut të Liqenit, ndërsa deklaron se nuk është prerë asnjë pemë e vetme dhe punëson banditë lokalë të rrahin protestuesit (Veliaj u zgjodh me premtimin se nuk do të priste asnjë peme të vetme); dhe qershia mbi tortë, deputetit dhe biznesmenit të rëndësishëm Koço Kokëdhima, “Koordinatori i Jugut të Shqipërisë” për PS, iu hoq mandati nga Gjykata Kushtetuese si pasojë e konfliktit të interesit—domethënë, kompania e tij ka përfituar dhjetra tendera ndërsa ai ishte anëtar i parlamentit (dhe të gjitha mediat pranë qeverisë heshtën).
Në këto kushte, ka vetëm një fjalë të përshtatshme për të përshkruar zgjedhjen e përfaqësuesve të lëvizjes LGBT për të mbajtur në COD një nga aktivitet e ditës së LGBT-së: pinkwashing (strategjia e kompanive apo organizatave për të shitur produktet e tyre duke u shtirur si miqësore me gejtë). Në një përpjekje patetike për të “rifituar” pëlqimin e një qeverie, tërësisht të korruptuar moralisht, ata kërkojnë të fshihen mes këmbëve të fuqishme të djemve të fortë, duke u zgjatur për të lëpirë koqet e tyre. Lajm i fundit: ata as që e çajnë kokën për ju dhe dhe do ta përdorin aktivitetin tuaj për t’u treguar gjithë të huajve, që janë aq naivë sa të mos e kuptojnë nëntekstin shqiptar, sa të përparuar dhe miqësorë që janë me gejtë! Po i jepni Edit diçka të cilën ai nuk e meriton — një dukje të njerëzishme!
Me këtë rast, në media u shfaq një video promovuese, e prodhuar bukur, e cila shfaq një “familje lesbikesh”. Në traditën më të mirë të videove virale, zbulimi i madh—dy gra në një puthje dashurie plus një djalë i vogël—vjen në fund të videos, duke i nxitur internetistët të klikojnë “ndaje”. Për së pari, ndryshe nga njoftimi për shtyp që shoqëroi videon, ajo nuk tregon një “familje lesbikesh”. Këto janë aktore, të cilët luajnë rolet e një familje lesbikesh.
Edhe një herë, na duhet të pyesim: për çfarë apo kujt i shërben kjo video? A jemi në Shqipëri, me të vërtetë, në pikën kur mund të shtrojmë çështjen e adoptimit nga familjet gej? A kemi arritur në atë pikë në Shqipëri sa tani t’i bëjmë thirrje nocionit që ka për “familje” shtresa e mesme, e bardhë, konservative?
Le të mos ketë asnjë dyshim: në Shqipëri nuk ka asnjë lloj kuadri çfarëdo ligjor që të lejojë të njihet ligjërisht një çift gejsh. Ndërkohë, diskriminimi në shkolla dhe në mjediset e punës është i përhapur gjërësisht. Homofobia dhe transfobia ushtrohen haptazi, pa asnjë lloj problemi, në media. Ligjet në fuqi kundër diskriminimit ekzistojnë vetëm në letër dhe çështjet gjyqësore janë jashtëzakonish të rralla.
Ajo që dua të them është se si mund të presim që të dënohet gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, kur edhe politikanët që kryejnë vepra penale, si ata përmendur më sipër, ja hedhin pa asnjë ditë burg ose me pak fare burg?
Dhe në përgjigje të kësaj gjendje dëshpëruese padrejtësish, lëvizja LGBT ka zgjedhur t’ja drejtojë mesazhin e saj dikujt jashtë cdo lloj konteksti. Hej shiko, pamje të bukura të familjeve të lumtura gej: patjetër, familje me dy prindër— jo vetëm me një ose me më shumë se dy, e kurrsesi familje me prindër të brezave apo rracave të ndryshme, me prindër të ndarë, me prindër me aftësi të kufizuara, apo familje pa fëmijë, me fëmijë gej, apo çfarëdo lloj tjetër shmangje të papranueshme nga ajo që, në fund të fundit, është norma e në familje krejtësisht heteroseksuale— me të ardhura të mjaftueshme për të kaluar kohën e tyre të lirë duke lexuar në park dhe vallëzuar mbi bar.
A ju thashë që, tani që BE-ja i shiti interesat e mijëra refugjatëve Sirianë duke ja lënë në dorë një diktature të re otomane, Shqiptarët janë grupi më i madh i emigrantëve në Hollandë? Pa dyshim, kjo nuk ndodh ngaqë e kalojnë kohën e tyre duke lexuar mbi bar…
E gjitha kjo ngre pyetjen: nëse videoja e mësipërme nuk përfaqëson as situatën aktuale ekonomike dhe shoqërore të komunitetit LGBT në Shqipëri dhe as nuk lufton për historinë e përbashkët dhe vlerat e lëvizjes LGBT—pra për t’i ripërcaktuar në mënyrë radikale nocionet e marrëdhënies, familjes, intimitetit, seksualitetit, gjinisë—atëhere pse ekziston ajo? Pse do të donte një person gej të prodhonte një shëmti të tillë?
Përgjigjja tashmë është e qartë: ajo tregon se aktivistët shqiptarë të LGBT-së janë përshtatur me mënyrën “ndërkombëtare” të reklamimit, me diskursin “ndërkombëtar” të emancipimit—të cilat përfshijnë përpjekjen për t’i bërë thirrjen ndaj konservatorëve në shoqëri për të pranuar diçka “minimalisht” të ndryshme, ndërkohë që qëllimi ynë duhet të jetë të jemi maksimalisht të ndryshëm: të qëndrojmë në krah të atyre që i rezistojnë pushtetit në vend që t’u jepen kapriçove dhe falimentimit të tij moral; të qëndrojmë në krah të atyre që zgjedhin të refuzojnë të bëhen konformistë dhe nuk krijojnë fantazira të pranueshme sociale.
Fatkeqësisht, mjafton të gjurmojmë si lëviz paraja për për të kuptuar pse ka ndodhur e kundërta. Lamtumirë lëvizja LGBT!