Familjet çame kujtojnë përndjekjet që vuajtën gjatë diktaturës

Nga Erblin Vukaj
Familjet çame kujtojnë përndjekjet që vuajtën gjatë diktaturës

Familjet çame nxorrën sot në pah mungesën e ndërgjegjësimit, reflektimit dhe dënimit të krimeve që diktatura u shkaktoi për rreth 50 vite.

Në një aktivitet që u organizua në kuadër të Ditëve të Kujtesës, përfaqësues të familjeve çame, që u përndoqën nga regjimi, theksuan se shumë pak flitet për vuajtjet e tyre ndërkohë që 30 vite pas ndryshimit të sistemit ende nuk kanë gjetur eshtrat e të afërmve.

“Aq pak është folur për atë çka i ka ndodhur çamëve përpara dhe gjatë diktaturës, sa brezat e rinj nuk kanë shumë dijeni” – u shpreh Jonila Godole, drejtoresha e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë, organizatore e Ditëve të Kujtesës, një seri aktivitetesh të përvitshme që synojnë ndërgjegjësimin rreth së shkuarës.

“Shqiptarët e Çamërisë u përndoqën edhe pse ishin antifashistë dhe ndër të parët që themeluan çeta partizane dhe luftuan pushtuesit” – u shpreh Dritan Sejko, kryetar i Shoqatës Çamëria.

“Përndjekja nisi me ndryshimin e emrit të çetës Çamëria në Thanas Ziko [minoritar grek]. Represioni u theksua në vitet ‘50 me konfiskimet e dokumentave dhe heqjen e shtetësisë. Më vonë u kalua te ata që e kishin themeluar çetën si Rexho Plaku, Teme Sejko etj, me gjyqet famëkeqe ndaj të ashtuquajturit “Grupi Çam” – tregoi Dritan Sejko, i cili u shpreh se pas kësaj periudhe të gjitha familjet çame vuajtën diskriminime, persekutime dhe internime të shumta.

Altin Hoxha, nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) zbuloi se deri më sot janë gjetur mbi 100 mijë faqe dokumente të mbajtura nga Sigurimi. Ai tha se gjatë diktaturës për shqiptarë të Çamërisë u dhanë 1500 vite burg, 25 dënime me pushkatim, ndërsa dhjetëra të tjerë vdiqën burgjeve dhe sot nuk kanë as varr.

Dosje të familjeve çame të mbajtura nga Sigurimi i Shtetit, ekspozuar gjatë aktivitetit.

Hektor Sejko, nip i Teme Sejkos, tregoi se regjimi nuk u tha kurrë se çfarë i ndodhi të afërmit të tyre. Ai rrëfeu se Teme rezulton i pushkatuar, por në vitin 1992 me ndihmën e Pjetër Arbnorit, në dokumente të arkivave kishte mësuar se ai nuk ishte ekzekutuar, por zhdukur. Të njëjtin fat pati edhe babai i tij Taho dhe të afërm të tjerë.

“Sot Teme Sejko, Taho Sejko, Sulo Sejko dhe Sokol Sejko nuk kanë varr” tha me pikëllim Hektori, ndërsa këmbënguli se “sot historia e tyre duhet zbardhur dhe kujtuar”.

Agim Plaku dhe Shkëlqim Jahaj treguan gjithashtu për përndjekjet rrëqethëse që çamët e Konispolit vuajtën pas luftës edhe pse ata e luftuan pushtuesin. Ahmet Mehmeti, gjithashtu çam, të cilit diktatura i ndaloi së shkruari, tregoi për përndjekjet që vuajti shkrimtari Bilal Xhaferri.

“Në dosjen e Bilalit kam mundur të gjej mbi 400 faqe dokumente. Ndaj tij Sigurimi kishte angazhuar 18 bashkëpunëtorë, rreth 60 familjarë ishin marrë në shqyrtim ndërsa prej survejimit implikoheshin 83 persona të tjerë. Kjo tregon masën e përndjekjes që vuajti Xhaferri, vetëm se ishte shkrimtar dhe nuk lëvizte nga fjala e tij” – tha Mehmeti.

“Regjimi komunist përndoqi mbi 200 familje çame për arsye absurde. Por 30 vite pas rrëzimit të diktaturës ndarja me të shkuarën mbetet problem për Shqipërinë” – tha Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, i cili u shpreh me këmbëngulje se “historia e diktaturës, që i zhveshi shqiptarët nga patriotizmi, besimi në zot dhe çdo vlerë njerëzore, ka nevojë të domosdoshme për t’u përballur”.

Gjatë 30 viteve në Shqipëri janë ndërmarrë nisma të ndryshme politike për të dënuar krimet e diktaturës. Mirëpo siç u shpreh Idrizi, ato ose janë penguar ose janë lënë përgjysmë duke veçuar këtu edhe gjyqet e fillim-viteve ’90 si gjyqe që u përqendruan vetëm te abuzimet ekonomike dhe jo te krimet.

Në vitin 2018, për dhjetëra familje që vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e të afërmve, qeveria nënshkroi marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Mirëpo kjo marrëveshje është zvarritur pa sjellë rezultate konkrete.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>