Fati politik i Ramës, si i Fan Nolit

Nga Erald Kapri
Fati politik i Ramës, si i Fan Nolit

Në politikë nuk mund të flitet me nëse edhe pse është arti i së mundshmes. Gjithsesi, Shqipëria është duke përjetuar një konflikt politik që mund të çojë në një situatë absurdi, një diktator formal në një shoqëri me rregulla demokratike.

Zgjedhjet pa opozitën në 18 Qershor do t’i jepnin mundësinë Edi Ramës që të kontrollonte çdo hallkë të shtetit, nga ekzekutivi, tek gjykatat dhe krerët e çdo institucioni. Kjo situatë e paprecedentë në fakt e ka një ngjashmëri në historinë politike shqiptare.

Në mbi 100 vite shtet, Shqipëria ka njohur shumë pak traditën parlamentare. Vitet 20-24 dhe më pas viti 1991. Këto janë dy periudhat e vetme në të cilat vendi ka pasur jetë të vërtet parlamentare.

Insistimi i kryeministrit aktual për të pasur zgjedhje pa opozitën, në fakt përbën një precedent të pandodhur por të ngjashëm me 6 muaj në pushtet të Fan Nolit. Ndonëse Noli erdhi në pushtet falë një kryengritje të armatosur, ai mori më pas një pushtet absolut, të ngjashëm me atë që mund të ketë Rama pas 18 Qershorit.

Pasi mori postin e kryeministrit me letër me vrimë, Fan Noli filloi të përqendrojë pushtetin të gjithë në duart e veta. Parlamentin e dalë në dhjetor të 1923 nuk e mblodhi kurrë për të formalizuar kabinetin e tij qeveritar edhe pse sipas bashkëkohësve ai mund të mblidhte numrin e nevojshëm të deputetëve të zgjedhur.

Ndërkaq, në korrik të 1924, regjenti i vetëm Sotor Peçi mori leje shëndetësore për pak kohë dhe Noli mori edhe kompetencat e Regjencës. Shteti ndodhej në një situatë absurde sepse praktikisht vendi qeverisej me dekrete formale të dala nga zyra e Nolit.

Parlamenti nuk mblidhej sepse mbledhja e tij nuk kishte kuptim aq sa Noli filloi të emërojë edhe deputetë në administratë sepse ishin të papunë, ndonëse punësimi i deputetëve ndalohej nga Statuti i Zgjeruar i Lushnjës. Po ashtu, regjenti i vetëm nuk pranonte të firmoste asnjë dekret pa kaluar në Kuvend, por kjo nuk e pengonte Nolin të firmoste akte e të bënte sikur qeveriste.

Pikërisht në këtë pikë kur ai i kishte të gjitha pushtetet formale filloi edhe rënia e tij e shpejtë. Fillimisht nga mbështetësit e tij që filluan ta kundërshtonin në shtypin e kohës.

Më pas diplomatët e pakët në Tiranën e 1924-s. E më pas në Dhjetor sapo lajmi u përhap se mbështetësit e Zogut ndodhen në kufi, pushteti i Nolit ra menjëherë si dekretet formale që ai firmoste.

Nëse Rama hyn në zgjedhje pa opozitën, praktikisht ai do jetë në të njëjtën pozitë si Fan Noli. Një parlament formal (që fundja s’ka nevojë ta mbledhë), një President pa kompetenca dhe një qeveri që do mundohet të qeverisë me vendime krejt formale. Praktikisht do jetë fillimi i fundit dhe thjeshtë çështje kohë që të humbasë pushtetin formal siç humbi legjitimitetin.

Fan Noli nuk e zgjati dot më shumë se 6 muaj. Edhe pse ai besonte se me pushtetin absolut do e kthente situatën në favor të tij, në fund u largua si shtetari për t’u harruar. Pas rilindasit Noli, erdhi një republikë e re.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>