Fatmir Xhafaj nuk është politikani që na duhet

Nga Alba Mborja
Fatmir Xhafaj nuk është politikani që na duhet

Fatmir Xhafaj vazhdon të mos e mendojë dorëheqjen. Justifikohet se nuk ka as përgjegjësi morale dhe as ligjore për veprimet e dikujt tjetër, qoftë ai edhe i vëllai. Në mbështetje të tij ka zëra të shumtë publikë, të cilët argumentojnë se Xhafaj është politikan serioz, që po bën një punë të mirë në Ministrinë e Brendëshme. Disa propagandojnë, gjithashtu, meritat e Xhafajt për reformën në drejtësi. Sidoqoftë, askush prej tyre nuk ka sjellë në diskutimin publik më shumë se përshtypje sipërfaqësore dhe qëndrime emocionale në mbështetje të Xhafajt.

Por ka një hendek mes pretendimeve të lëvduesve dhe veprimtarisë së vërtetë të Xhafajt. Në të vërtetë, më shumë se një politikan reformator dhe përparimtar, Xhafaj përfaqëson rikthimin në majat e politikës shqiptare të aparatçikut të suksesshëm të viteve 1980-të.

Xhafaj ka studiuar për drejtësi në fund të viteve 1970-të, duke marrë një shkollim komunist, i përgatitur për t’i shërbyer një regjimi ku dhunoheshin të drejtat dhe liritë e njeriut. Përtej këtij shkollimi, ai nuk ka marrë ndonjë shkollim apo trajnim tjetër, dhe duke qenë se, veç italishtes, nuk njeh gjuhë të huaja, formimi i tij intelektual ka mbetur në thelb ai i marrë në komunizëm.

Mbas studimeve, Xhafaj punoi për disa vjet hetues në prokurorinë e Krujës. Kundështarë politikë dhe të paktën dy të hetuar prej tij pretendojnë se ai ka qënë hetues i ashpër politik, por vetë Xhafaj pohon se ka qënë hetues jopolitik, edhe pse ky dallim ka pak rëndësi duke qenë se në diktaturë çdo gjë ishte politike, për më tepër institucionet e drejtësisë.

Në vitin 1986, nga hetues i thjeshtë Xhafaj u katapultua në sekretar të Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë të Punës së Shqipërisë. Në këtë detyrë, edhe pse fundi i viteve 1980-të kishte sjellë një erë liberalizimi ne Shqipëri, Xhafaj punoi me zell kundër ndikimeve të huaja perëndimore tek rinia shqiptare.

Me ndryshimin e regjimit, në fund të vitit 1990, Xhafaj punoi dy vjet me organizatat e transformuara rinore, por duket se nuk pa të ardhme në këtë fushë—ishte koha kur lindi Forumi Rinor Eurosocialist, nga të rinj më modernë, me mendje më të hapur e të papërzierë me të shkuarën.

Pas vitit 1992, ai punoi për disa vjet si avokat privat.

Karriera politike e Xhafajt rilindi, papritur, në vitin 1997. Fatos Nano u bë Kryeministër dhe emërimi i parë i tij ishte ai i Xhafajt si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Në këtë detyrë ai mbahet mend si një shërbëtor servil dhe i bindur i kryeministrit, por i rreptë dhe i sertë me vartësit. Duke qene përgjegjës për pergatitjen e vendimeve të qeverisë dhe të vetë kryeministrit, Xhafaj u përfshi në të gjitha vendimet e qeverisjes Nano, dhe për rrjedhojë edhe në korrupsionin që mbërtheu qeverisjen Nano që në fillimet e saj. Po në këtë periudhe ai u përfshi në procesin e hartimit të Kushtetutës së vendit, të cilën do ta kritikonte ashpër rreth 20 vjet më pas.

Me dorëheqjen e Nanos më 1999, edhe Xhafaj u largua nga Këshilli i Ministrave, për t’ju rikthyer sërish profesionit të avokatit privat. Por me kthimin e Nanos në krye të qeverisë, u rikthye edhe Xhafaj, fillimisht si Ministër i Territorit e Turizmit në vitin 2002 dhe pastaj Ministër i Drejtësisë më 2003-2005. Si Ministër Drejtësie ai shërbeu në periudhën kulmore të korrupsionit të qeverisjes Nano, njëkohësisht periudha kur Shqipëria u pushtua nga bandat kriminale që sunduan në qytetet kryesore të vendit.

Gjatë periudhës si ministër, Xhafaj u kallëzua dy herë penalisht për abuzime me tendera, ndërkohë që u përfol, pa u hetuar ndonjëherë, për përfshirje në ndërtime korruptive në Pogradec. Po gjatë kësaj kohe, në rrethet gazetareske të Tiranës qarkulloi fjala, asnjëherë e konfirmuar, se si Ministër Drejtësie Xhafaj mundësoi me autoritetet italiane që vëllai i dënuar për trafik droge në Itali ta kryente dënimin në Shqipëri, por që pastaj Xhafaj e “rregulloi” që ai të mos bënte asnjë ditë burg këtu.

Në mënyrë ironike, si Ministër i Drejtësisë, Xhafaj ishte për tre vjet person kyç në administrimin e sistemit të drejtësisë në vend, përfshi emërimet e gjyqtarëve, duke kontribuar në forcimin e atij sistemi që 8 vjet më pas do e denonconte për të justifikuar reformën në drejtësi.

Me kalimin e socialistëve në opozitë në vitin 2005, Xhafaj shërbeu si deputet dhe në periudhën 2009-2013 si nën Kryetar i Komisioni të Ligjeve.

Ringritjen e tretë në majat e politikës Fatmir Xhafaj e pati me caktimin nga Edi Rama si Kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, në nëntor 2014. Gjykimi përfundimtar në lidhje me këtë reformë do të marrë kohë, por që tani është e qartë se ajo është keqmenduar dhe keqbërë konceptualisht, politikisht dhe teknikisht.

Ndërkohë, po bëhet përditë e më e qartë se qëllimi kryesor i hartuesve socialistë të reformës ka qenë kapja e drejtësisë dhe jo përmirësimi i saj. Aktualisht Gjykata Kueshtetuese është e shpërbërë pasi ka mbetur me vetëm me një anëtar, Gjykata e Lartë është e bllokuar me më pak se gjysmën e anëtarëve të saj, i gjithë sistemi i prokurorisë është vënë nën kontrollin e plotë të qeverisë, ndërsa procesi i vetingut është nën kontrollin e Xhafajt dhe Ramës, të cilët i kanë mbushur institucionet e reja të drejtësisë me njerëzit e tyre.

Nga marsi 2017, Xhafaj ka shërbyer si Ministër i Brendshëm—me një shkëputje tre mujore gjatë verës 2017—dhe ka ndërmarrë një ndryshim rrënjësor të personelit në polici, duke vendosur njerëzit e tij të besuar në të gjithë sistemin.

Sikurse Tahiri, Xhafaj është mburrur për reforma dhe arritje në polici, por në të vërtetë nuk ka ndonjë arritje të vërtetë dhe niveli i punës së policisë mbetet i dobët. Kështu, për shembull, operacioni i shumë lëvduar Forca e Ligjit është thjesht propaganda, pa rezultate konkrete; trafiku i marijuanës drejt botës ka qenë më i madh se çdo vit tjetër, ndërsa është rritur ndjeshëm trafiku i kokainës; vrasjet dhe krimet e dhunshme janë të përditshme. Policia nuk ka kapur apo shkatërruar asnjë grup dhe asnjë drejtues të rëndësishëm të krimit, ndërkohë që qytete si Vlora, Durrësi dhe Elbasani janë nën kontrollin e krimit të organizuar.

Nga ana tjetër, janë rritur abuzimet dhe dhuna e policisë ndaj qytetarëve, ndoshta si reflektim i stilit prej hetuesi të dhunshëm që Xhafaj ka sjellë në trupën e policisë. Në mënyrë ironike pasi propagandoi me të madhe vetingun në polici për të pastruar policinë nga elementët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, Xhafaj refuzoi kërkesën që këtij vetingu t’i nënshtrohej edhe ai vetë. Tani është e qartë se, me shumë gjasa, Xhafaj nuk do ta kalonte dot vetingun për shkak të lidhjes me të vëllain Agron Xhafaj, një trafikant ndërkombëtar droge i dënuar në Itali dhe i akuzuar që ka vazhduar trafikun në Shqipëri nën mbrojtjen e policisë.

Së fundmi, edhe sikur Xhafaj të mos ketë asnjë rol në mbrojtjen e të vëllait, këmbëngulja e tij për të mos dhënë dorëheqjen dhe argumentat skandaloze me të cilat ai e ka justifikuar këtë qendrim, dëshmojnë një mentalitet larg vlerave perëndimore dhe demokratike.

Në të gjithë veprimtarinë e tij në vite, Fatmir Xhafaj nuk ka ndonjë arritje apo gjurmë për mirë. Tre dekada pas rënies së komunizmit, drejtimi i vendit nga një politikan i njejtë me atë të tre dekadave më parë është fakt dramatik. Në fakt, qenia e tij në krye të politikës shqiptare të vitit 2018 është shenjë e dështimit të përparimit intelektual dhe e shoqëror të vendit.

Por në mënyrë ironike Xhafaj konsiderohet gjerësisht në publik njeri serioz që po bën një punë të mirë. Ka një sërë arsyesh për këtë. Rol parësor ka luajtur propaganda e jashtëzakonshme për reformën në drejtësi me të cilën është bombarduar publiku për më shumë se tre vjet. Akoma më shumë rol ka luajtur propaganda e kohëve të fundit për reformimin dhe forcimin e policisë, që ka për qëllim të krijojë përshtypjen publike se kapitulli Tahiri ishte i rastësishëm dhe është mbyllur—tani ka një ministër dhe një qeveri me vullnet për të luftuar krimin.

Patjetër, rol në imazhin pozitiv të Xhafajt ka luajtur paraqitja dhe sjellja e tij prej një burri të prerë dhe fjalëpak, në kontrast me paraardhësin e tij dhe shumicën e figurave drejtuese socialiste, që janë qesharake dhe të zhurmshme. Zymtësia e pozat teatrale prej udhëheqësi të madh të Xhafajt, nga shumëkosh janë marrë për shënja thellësie, aftësie dhe serioziteti. Madje ky lloj imazhi teatral, tek ata që nuk e njohin natyrën thellësisht servile dhe të përunjur ndaj shefave të Xhafës, krijoi përshtypjen se Xhafaj ishte aq i fortë dhe parimor në luftën kundër krimit sa po sfidonte dhe rrezikonte vetë Ramën!

Rol në formimin e opinionit publik për Xhafajn kanë luajtur, natyrisht, diplomatët e huaj. Me ta, Xhafaj ka ndjekur taktikën tinzare të Ramës: servilizëm dhe përulje në dukje, duke u shfaqur i gatshëm për t’ju shërbyer në çdo kohë dhe me çdo mënyrë, dhe manipulimin dhe kontrollin e çdo gjëje mbas shpinës së tyre. Në fakt, qenia kryetar i komisionit të reformës e lidhi suksesin e reformës me suksesin e Xhafajt, ndaj përfaqësuesit e huaj të investuar personalisht në reformën në drejtësi, kanë qenë përherë të interesuar të lëvdojnë Xhafën për të lëvduar reformën në drejtësi, pra veten e tyre.

Duhet thënë, gjithashtu, se Xhafaj është treguar i kujdesshëm dhe ka punuar direkt që të krijojë dhe mbajë marëdhënie të mira me median dhe komentatorë publikë, shumë nga të cilët të mësuar me politikanë të stilit të batutave dhe restoranteve, duket se kanë vlerësuar një ministër me sjellje më të përmbajtur dhe më formale si Xhafaj.

Së fundmi dhe jo më e parëndësishmja, duhet thënë se publiku shqiptar është i etur për politikanë seriozë dhe të aftë, ndaj ai është i prirur të besojë tek çdo kush që në sipërfaqe tregon shenja serioziteti. Veçse ky nuk është Fatmir Xhafaj.

Shqipëria ka nevojë për politikanë me formim dhe botëkuptim perëndimor, me integritet dhe moral njerëzor. Ndaj vendi do të fillojë të përparojë politikisht kur në krye të politikës të mos ketë vend për politikanë si Xhafaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>