Fatos Lubonja: Katër paradokse dhe katër pyetje pas zgjedhjeve të 25 qershorit

Fatos Lubonja: Katër paradokse dhe katër pyetje pas zgjedhjeve të 25 qershorit

Analisti Fatos Lubonja, në një shkrim për gazetën Panorama, bën të një analizë të votës së 25 qershorit dhe thekson katër paradokse që vihen re:

Paradoksi i parë, sipas Lubonjës, është se si shpjegohet se PS, partia që ka qenë në pushtet për katër vite ka mundur të rrisë numrin e votave, edhe pse sipas të dhënave të Gallup, 56 për qind e e shqiptarëve duan të braktisin vendin? Shqipëria renditet e dyta në botë pas Sierra Leones, e cila ëshrë në mesin e një lufte civile, për numrin e lartë të qytetarëve që duan të largohen nga vendi.

“Po të dëgjoje fushatën elektorale të Edi Ramës, ky paradoks edhe do të mund të shpjegohej me thirrjen e tij për t’i braktisur partitë e vogla ‘shushunja’ me të cilat ai paska qenë i detyruar të (keq)qeverisë për shkak të sistemit klientelar dhe të korrupsionit që e mbiquajti ‘të tepsisë’,” shpjegon Fatos Lubonja.

Ky arsyetim na çon në paradoksin e dytë: si ka mundësi që megjithë fushatën e PS e PD kundër partive të vogla, dy prej tyre LSI e PDIU morën më shumë vota dhe numër deputetësh krahasuar me vitin 2013?

Paradoksi i tretë sipas Lubonjës është mosrritja e elektoratit opozitar të PD-së, megjithëse 56 për qind e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria e drejtuar nga Edi Rama.

“Një shpjegim mund të ishte fakti i të kaluarës së kësaj partie, fakti që edhe ajo ka qenë pjesë e të njëjtit sistem. Disa thonë se për këtë ka ndikuar edhe mosangazhimi i pd-istëve që Basha i përjashtoi nga listat, si dhe i atyre që menduan se ai do të bënte bashkëqeverisje me Ramën,” shpjegon analisti Lubonja.

Paradoksi i katërt vjen si rrjedhojë e paradoksit të tretë: si ka mundësi që një pjesë e shqiptarëve të zhgënjyer nga sistemi i PS e PD, nuk votuan as sa për të nxjerrë vetëm një deputet nga partitë e Blushit dhe Bojaxhiut, por dhanë më shumë vota për parti si PDIU apo Social Demokratja e Tom Doshit, që janë aleate të djeshme dhe të sotme të partisë në pushtet?

Shpjegimet e këtyre katër paradokseve sipas Lubonjës “nuk mund të konvergojnë veçse në një pikë: kemi të bëjmë me rritjen e agresivitetit të sistemit klientelar, korruptiv, të ndarjes së territorit në duar të fortësh – oligarkë apo të lidhur me paratë e drogës – që po i shndërron shqiptarët gjithnjë e më shumë – nga halli apo nga malli – në bashkëpunëtorë të këtij sistemi.”

“Rezultati i Libra-s dhe Sfida-s flet për rritjen e numrit të shqiptarëve që kanë zgjedhur bashkëpunimin me sistemin e oligarkisë dhe krimit, të ndarjes së territorit në duart e të fortëve, në dëm të numrit të shqiptarëve që duan ta refuzojnë atë.”

Në përfundim të shkrimit, analisti Lubonja shtron disa pyetje:

  1. A do të transformohen dot partitë opozitare si PD dhe LSI nga parti klientelare dhe oligarkësh, në parti që do të shkojnë vërtet te 56%-shi për t’i bërë rezistencë këtij rreziku?
  2. Apo protagonistët e tyre kryesorë do të kujdesen të ruajnë bizneset e interesat personale që kanë kuruar kur kanë qenë në pushet duke u shkrirë kësisoj gjithnjë e më shumë në ndërmarrjen e madhe monopoliste të Edi Ramës?
  3. A do t’u bashkohen ato, që nesër, atyre qytetarëve te Parku i Autobusëve të Tiranës që vetëm një javë pasi u mori votën Edi Rama ua rrethoi parkun e fëmijëve, sepse ia ka dhënë për ndërtim ndonjërit prej oligarkëve që i ka financuar fushatën, apo do të heshtin siç kanë bërë rëndom, sepse ky oligark ka mbushur dje edhe xhepat e tyre?
  4. A do t’u bashkohen atyre qytetarëve Blushi, Bojaxhiu dhe njerëzit e tyre në emër të një Shqipërie më të jetueshme për të gjithë, më të lirë dhe më demokratike apo do të struken nga taksidarët, policët, shantazhuesit, korruptuesit, votëblerësit dhe denigruesit e sistemit kriminal?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>