Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, FDA autorizoi të mërkurën administrimin e dozës përforcuese të vaksinës Pfizer për moshat 65 vjeç e lart dhe për ata me probleme shëndetësore.
Doza përforcuese duhet të administrohet të paktën gjashtë muaj pas përfundimit të dozës së dytë. Në autorizim do të përfshihen njerëzit me sëmundje të rënda dhe ata në punë të rrezikshme, tha FDA.
Këta njerëz përfshijnë “punonjës të kujdesit shëndetësor, mësues dhe stafin e kujdesit ditor, punëtorët e restoranteve dhe të burgjeve dhe të pbanesave të të pastrehëve, ndër të tjerë,” tha Janet Woodcock, komisionere e FDA.
“Kjo pandemi është dinamike dhe evoluon, me të dhëna të reja në lidhje me sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave që bëhen të disponueshme çdo ditë”, u shpreh ajo.
Peter Marks, drejtor i Qendrës së FDA për Vlerësimin dhe Kërkimin Biologjik, tha se agjencia “do të vazhdojë të analizojë të dhënat e paraqitura në FDA në lidhje me përdorimin e dozave përforcuese të vaksinave Covid-19 dhe ne do të marrim vendime të mëtejshme sipas rastit bazuar në të dhëna ”.
Këshilltarët e FDA votuan të premten për të rekomanduar vaksina kundër Covid-19 për amerikanët 65 vjeç e lart dhe ata në rrezik të lartë, pasi refuzuan thirrjen e qeverisë për miratim më të gjerë.
Aktualisht, vetëm njerëzit me imunitet të dobët kanë të drejtë për një dozë të tretë të vaksinës Pfizer ose Moderna.
Paneli këshillues tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për të mbështetur dozat përforcuese për të gjithë ata mbi moshën 16 vjeç, që kishin marrë një dozë të dytë të paktën gjashtë muaj më parë dhe gjithashtu kërkuan më shumë të dhëna sigurie.