Federata Skoceze e Futbollit po mendon të ndryshojë rregullat e futbollit për fëmijët duke ndaluar goditjen e topit me kokë. Ideja e propozuar është për kategorinë e moshave nën 12 vjeç pasi një studim në Universitetin e Glasgow nxori si përfundim se futbollistët profesionistë janë 3 herë më të ekspozuar ndaj sëmundjeve degjenerative të trurit për shkak të goditjeve të vazhdueshme.
BBC raportoi sot se çështja është marrë seriozisht në konsideratë dhe do të diskutohet duke u konsultuar me ekspertë të mjekësisë. Mjeku i Federatës skoceze, John MacLean, një studiues dhe advokues i njohur i shëndetit mendor, ishte ndër të parët që hodhi idenë e ndryshimeve në rregullore në mënyrë që “goditjet në kokë të fëmijëve të jenë sa më të kufizuara”.
MacLean është gjithashtu pjesë e grupit të mjekëve në UEFA të cilët po shqyrtojnë propozimin që në rastet e lëndimeve në kokë të mundësohet një zëvendësim i lirë, siç ndodh në regby. Në këtë lloj sporti kur një lojtar lëndohet në kokë, kryhet një zëvendësim i lirë. Një lojtar tjetër zë vendin e tij, loja vazhdon, mjekët dhe vetë i lënduari nuk vihen nën presion.
Momentalisht diskutimi në Skoci është përqendruar vetëm te të rinjtë. Propozimi i marrë në konsideratë është ndalimi i goditjeve me kokë për moshat nën 12 vjec. Sidoqoftë Skocia nuk do të jetë vendi i parë që e ndryshon këtë rregull të futbollit. SHBA-të e kanë ndryshuar atë që në vitin 2016, duke e kufizuar edhe në stërvitje.
Në Glasgow kanë qenë tejet të kujdesshëm me adresimin e problemit, që ka të bëjë kryesisht me goditjet e vazhdueshme në kokë.
Studimi në fjalë nisi pas pretendimeve të vazhdueshme se vdekjen, ish-sulmuesit të West Bromwich Albion Jeff Astle, nuk ia kishte shkaktuar alzaimeri më shumë se sa goditjet e shpeshta në kokë si futbollist.
Përfundimi i studimit ishte konfirmues në këtë pikë pasi tregoi se traumat e vazhdueshme në kokë kishin lënë pasoja të rënda në shëndetin e Astle, i cili u nda nga jeta në vitin 2002.