Pothuajse të gjitha vendet e botës e kanë një ditë të cilën ja kushtojnë të drejtave të fëmijëve. Në Shqipëri dhe kryesisht në të gjitha vendet ish-komuniste kjo ditë është më 1 qershor.
Është ndoshta ndikimi i traditës komuniste që politikanët tanë vazhdojnë të kremtojnë 1 qeshorin në të njëjtin stil si dikur: si mundësi për të treguar sa të lumtur jetojnë fëmijët nën udhëheqjen e tyre dhe sa shumë kujdesen ata për fëmijët.
Këtë 1 qershor në Shqipëri u fol për Sajmirin, për Erjonin, për Edin dhe atë çfarë ata bënë për fëmijët (në fakt për veten e tyre, duke përdorur fëmijët), por nuk u fol kurrsesi për fëmijët.
Në 1 qershor ne duhet të kishim folur dhe reflektuar për gjendjen e fëmijëve, për të drejtat e tyre, për të ardhmen e tyre, për atë që kemi bërë e atë që duhet të bëjmë për sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
Këtë 1 qershor politikanët duhet të kishin premtuar e betuar se nuk do të lejonin kurrë më të ndodhte ajo që ka ndodhur në jetimoren e Shkodrës, që nuk do të lejojnë më kurrë që rrugët e pamirëmbajtura të marrin jetë fëmijësh, që nuk do të lejojnë më të ketë më shkolla me dy turne, që nuk do të ketë më lypës në rrugë, që nuk do lejojnë më kurrë që fëmijët të dhunohen…
Por ata nuk e bënë.
Por nuk e bënë as të tjerë. As mediat, as organizatat joqeveritare të fëmijëve dhe grave, as mediat, gati askush.
Askush nuk foli për:
- Ata 7,2 për qind të fëmijëve nën moshën pesë vjeç që vuajnë nga kequshqyerja akute dhe rreth 17,8 për qind që vuajnë nga rakitizmi (sipas Indeksit Global të Urisë 2015).
- Mbi 4 mijë fëmijët e moshës 7-15 vjeç që nuk ndjekin arsimin e detyrueshëm (sipas Instatit).
- Rreth 145 fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja për të shpëtuar jetën nga vrasës që në emër të një kodi primitiv nuk kursejnë as fëmijët (sipas Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve).
- Rreth 857 fëmijët që jetojnë në shtëpi të fëmijës, më së shumti në kushte të papërshtatshme dhe jo rrallë ata janë pre e dhunës fizike e madje seksuale.
- Rreth 480 fëmijët e mitur shqiptarë që kanë kërkuar azil të pashoqëruar në vendet e BE-së gjatë vitit 2015 (sipas Eurostatit).
- Rreth 1 150 fëmijët shqiptarë të regjistruar në institucionet për minorenë në Itali në periudhën janar-tetor 2015, të gjithë fëmijë të braktisur (me shpresën për një jetë më të mirë në jetimore) apo të trafikuar ose të braktisur qëllimisht nga prindët e tyre (sipas të dhënave të qeverisë italiane).
- Për të paktën rreth 20 fëmijë të trafikuar çdo vit për tu shfrytëzuar me forcë për të lypur dhe në disa raste për prostitucion (sipas Këshillit të Europës).
Të gjithë këta fëmijë presin ende që dikush të flasë apo mendojë për ta.