Ndërroi jetë Fidel Kastro, ikona e revolucionit kuban

Ndërroi jetë Fidel Kastro, ikona e revolucionit kuban

Fidel Kastro, komandanti i revolucionit kuban dhe udhëheqësi i Kubës deri para pak vitesh, ndërroi jetë të premten në darkë, në moshën 90 vjeçare.

“Komandanti i Revolucionit kuban humbi jetën sot në 22:29” – njoftoi, vëllai i tij, Presidenti i Kubës Raul Kastro. Kastroi drejtoi Kubën për 50 vjet rresht.

Jeta politike

Në vitin 1953, pas diplomimit, Kastro organizoi sulmin e parë të armatosur kundër diktaturës së korruptuar dhe të egër të Presidentit Fulgencio Batista. Por sulmi dështoi sepse ai nuk arriti të ngrejë popullin kundër Batistës.

“Historia do të më shfajësoi.”- u shpeh Kastro në sallën e gjyqit.

Pas përfundimit të dënimit, Kastro jetoi në mërgim në Meksikë, ku u njoh dhe u bë miku më i ngushtë i revolucionarit Ernesto “Che” Guevara.

Gjatë viteve të kaluar në mërgim, Kastro ngriti një forcë guerilase, në krye të së cilës luftoi dhe rrëzoi Presidentin Batista.

Në vitin 1959, Kastro, 32 vjeç, u bë kryeministri i Kubës.

Pas betimit si Kryeministër, ai ndërmorri një sërë reformash me qëllimin e vetëm për të hequr pushtetin ekonomikë të SHBA-ve.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u prishën kur Presidenti amerikan Eisenhower nuk pranoi të takonte Kastron, i cili ndodhej në SHBA.

Në të njëjtën kohë, Kuba vendosi marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik.

Në prill të vitit 1961, disa ditë para sulmit të dështuar të grupeve paraushtarake të CIA-s, i njohur si sulmi “Bay of Pigs” kundër pushtetit të Kastros, Kuba u shpall shtet socialist.

Në vitin 1962, SHBA-të zbuluan se raketat sovjetike po vendoseshin në territorin e Kubës, gjë e cila shkaktoi tension ndërmjet Presidentit Kenedi dhe Nikita Krushov.

Në vitin 1980 si pasojë e prishjes së marrëdhënieve ekonomike me Rusinë, mijëra kubanë u përpoqën të kalonin kufirin detar në mënyrë të paligjshme për në SHBA.

Në vitin 1976, Kastro u bë President i Kubës, post të cilin e mbajti deri në vitin 2008, kur ia delegoi pushtetin vëllait të tij Raul. Ai qëndroi në postin e Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste deri në vitin 2011.

Jeta personale

Kastro lindi më 13 gusht 1926, frut i një marrëdhënie jashtë martesore, ndërmjet një pronari plantacionesh sheqeri dhe një shërbyeseje, të cilët më vonë u martuan. Presidenti i Kubës mori mbiemrin e të jatit “Kastro” në moshën 17 vjeçare.

Ai u shkollua në shkollën private të Jezuitëve dhe u diplomua për ligj në Universitetin e Havanës. Gjatë kohës universitare ai u bë pjesë e grupeve nacionaliste dhe socialiste kubane.

Për jetën e tij private, pasi ai erdhi në pushtet, dihet shumë pak. Por mendohet se Kastro ka një djalë nga martesa e parë, një vajzë të paligjshme, pesë djem nga një martesë e dytë dhe një djalë tjetër nga një grua e panjohur.

Revolucionari, i cili u rrit si një fëmi i pasur dhe i privilegjuar, kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke luftuar kundër kapitalizmit dhe të pasurve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>