Kryeministri Rama ka emëruar Fidel Ylli si përfaqësues të qeverisë për të biseduar me përfaqësuesit e Ligës profesioniste të Futbollit, për rinisjen e kampionatit, raportoi Abc News.
Rama i quajti të papranueshme kërkesat e klubeve të futbollit, të cilat kanë paralajmëruar se nuk do të nisin kampionatin nëse qeveria nuk rishikon ligjin për sportin dhe sponsorizimet, dje (10 shtator).
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit miratoi shtyrjen e kampionatit 2020/2021 për një afat të pacaktuar, të mërkurën (9 shtator).
Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit i kanë dërguar qeverisë kërkesat e tyre nëpërmjet letrës dërguar më datë 10 gusht.
Ata i kërkuan qeverisë uljen e TVSH në 6%, faljen e gjobave dhe detyrimeve të prapambetura tatimore; mos pagimin e TVSH -së për të ardhurat e sportistëve dhe miratimin e ligjit të sponsorizimeve.