Vëreni se shkrimi i mëposhtëm zbulon pjesë nga skenari i filmit Joker.
Duke thyer rekorde shikueshmërie, që në javën e parë të publikimit, si dhe duke arkëtuar miliona dollarë fitime, filmi Jocker është njëkohësisht një ndër filmat më të polemizuar të viteve të fundit. Ai ka arritur të tërheqë një sërë nominimesh, por kritikë e analistë të shumtë e kanë kritikuar në disa rrafshe.
Filmi rrëfen dramën e një të sëmuri psikik, i cili ëndërron të bëhet komedian i madh, por është i paaftë të mbijetojë në një botë të egër, e cila ka humbur interesin për fatin e gjithsecilit prej nesh. Ai detyrohet të punojë si klloun, ndërsa bën tentativa të pasuksesshme për të krijuar një karrierë si humorist në klube ku promovohen talente të reja, në të cilat dështon plotësisht, pa mundur dot t’i bëjë të tjerët të qeshin.
I lodhur nga mungesa e vëmendjes dhe vështirësitë për të pasur një jetë normale, ai hidhet në botën e krimit me një sërë vrasjesh të dhunshme, nëpërmjet të cilave arrin të fitojë vëmendjen e njerëzve, si dhe përkrahjen e shtresave të varfëra dhe të margjinalizuara të shoqërisë, të cilat gjejnë tek krimet e tij një mënyrë për të shfryrë urrjetjen ndaj të pasurve.
Ai bëhet heroi anonim i masave që ndihen gjithashtu të braktisura, gjë që i nxit ata të hidhen në protesta të dhunshme, derisa situata arrin në anarki. Në këtë moment, ai i shfaqet publikut, në emisionin satirik televiziv më të ndjekur, ku vret live para kamerave drejtuesin e emisionit, një nga komedianët më të suksesshëm në SHBA.
Kritika ka pasur reagime të ndryshme pro dhe kundër, ndonëse filmi është vlerësuar se legjitimon djerrinën morale të shoqërive të sotme, nxit dhunën dhe krimin, nihilizmin, bindjet anarkiste e prirjet sadiste të individit, si dhe propagandon pikëpamje ideologjike antikapitaliste në funksion të një lufte klasash pa kuptim.
Megjithatë, përtej efekteve apo afekteve kulturore, sociale e ideologjike, shumë kritikë e konsiderojnë artistikisht një film të cekët për nga parashtrimi i idesë dhe për nga efekti që ka në provokimin e të menduarit, ndonëse ka, deri diku, një realizim të mirë regjizorial.
Në fakt, filmi nuk shkëputet dot nga disa klishe të rëndomta të epokës sonë, siç është fajësimi i botës për dështimet individuale, antagonizmi klasor kundër të pasurve apo një lloj prirjeje vanitoze për të qenë në qendër të vëmendjes së shoqërisë. Ai legjitimon revoltën e brendshme të individit ndaj një bote që imponon këndvështrimin e saj, pa përfillur ato të tjetrit.
Nga ana tjetër, duke kërkuar doemos përfshirjen e kolektivit si dëshmitar i dramës individuale, filmi kalon në një përshkallëzim masiv të dhunës, në përmasat e një revolucioni anarkist me një lider anonim të çmendur, duke humbur krejtësisht tiparet e një rrëfimi të realitetit. Kjo e kthen dramën në një amerikanatë hollivudiane pa shije.
Personazhi Joker hakmerret ndaj faktit që njerëzit nuk qeshin me batutat e tij, duke qeshur më pas vetë me horrorin e shkaktuar nga spektakli i dhunës që i ofron publikut. Nga ana tjetër, turmat e admirojnë dhunën e tij, duke shfryrë edhe ata dufin e tyre për mjerimin dhe ndjenjën e përbashkët të braktisjes. Jemi këtu në një terren nihilist, përtej së mirës dhe së keqes, ku të vetperceptuarit si i shtypur legjitimon radikalizimin e reagimit, aq sa shikuesi ndjen simpati për kriminelin.
Përtej vanitetit, skenari prodhon edhe një paradoks, nga pikëpamja e sistemit vleror që motivon autorin. Nga njëra anë filmi është një produkt antagonist me sistemin, kapitalizmin dehumanizues dhe botën e konsumit që shkatërron individin, ndërsa nga ana tjetër ai përforcon prirje të tilla vanitoze si dëshira për famë, për të qenë në vëmendjen e publikut, për t’u bërë një yll televiziv, e cila kthehet vërtetë në një burim çrregullimesh psikike te shumë individë sot. Eshtë i njëjti paradoks që shfaqet te fakti që filmi ka arkëtuar shifra të majme parash, pikërisht duke shfrytëzuar kapitalizimin hollivudian të antikapitalizmit. Filmi është në thelb komercial, ndonëse shfaqet si një denoncim ndaj komercializmit dhe botës së sunduar nga paraja.
Përtej këtyre, në hapësirën shqiptare filmi sjell një përforcim banal të klisheve të modernizmit, duke shtuar edhe mospërfilljen tipike të shoqërisë sonë pas-komuniste ndaj vlerave, indiferencën e thellë edhe ndaj vetë nihilizmit, shoqëruar nga një papjekuri e frikshme kulturore e publikut.
Duke e ndjekur në kinema, nuk mund të mos tronditesh nga reagimet në sallë, të cilat tregojnë sesa i papërgatitur është publiku shqiptar për konsumim të një produkti artistik. Në kulmin e tragjizmit, kur personazhi kryesor ekzekuton, me një gërshërë në kokë, shokun e tij të punës, publiku u shkul gazit, për shkak se shoku tjetër, në përpjekje për t’ia mbathur i tmerruar, nuk hapte dot shulin e derës, pasi ishte xhuxh dhe nuk e mbërrinte dot me gjatësi.
Të qeshurat e provokuara në një moment të tillë horrori, rrëfejnë për një realitet shumë më të tmerrshëm nga ai që vetë filmi mundohet ta paraqesë nëpërmjet dramës së një kllouni. Në fakt, filmi i vërtetë ndodhej në sallë, jo në ekran.