Filmi shqiptar ‘Dy luanë drejt Venecias’, në kinemanë verore të Parkut të Liqenit 

Nga Exit Staff
Filmi shqiptar ‘Dy luanë drejt Venecias’, në kinemanë verore të Parkut të Liqenit 

Premiera e filmit “Dy luanë drejt Venecias” të hënën në Amfiteatrin e Parkut të Liqenit ishte për shumë shikues një frymëmarrje e thellë pas një viti drobitës nën kufizimet e pandemisë.

Kënaqësinë e të parit një film në ambient të hapur, në mes të parkut, në një mbrëmje të freskët fillimvere e shton filmi vetë.

Dy fjalë për filmin.

“Dy luanë drejt Venecias” i regjisorit Jonid Jorgji është një komedi-dramë e zhanrit road movie, ku, sigurisht, ngjarja zhvillohet gjatë një udhëtimi. Një udhëtim me synime madhështore dhe me pikëmbërritje groteske.

Regjisori dhe drejtori i fotografisë së një filmi shqiptar, Vasi dhe Kaçi – secili luani i dikujt, por jo edhe i Venecias se Festivalit – lajmërohen në telefon se filmi i tyre është përzgjedhur për konkurrim në Festivalin e Venecias. Nga pak sekuencat që arrijmë të shohim nga ky film brenda filmit, kuptohet që bëhet fjalë për një nga ato historitë e rëndomta në Shqipëri dhe në filmat shqiptarë, ku babai pronar i familjes qëllon për të vrarë djalin me të cilin shoqërohet vajza. Babai është i turpëruar. Pistoletën, bam! Qëllon gabimisht të shoqen.

Vjen telefonata nga Venecia. “Filmi juaj është përzgjedhur”. Jo aq e papritur, do të mendonte dikush, pa u ngrysur prej seriozitetit dhe pa harruar se bëhet fjalë për një komedi. Burrneshat, gjakmarrja, shqiptari patriarkal, rrjedhimisht edhe i ashpër, janë ende tema ekzotike për festivalet e filmit.

Vasi dhe Kaçi nisen për në Venecia. Vasi merr me vete, si gjithnjë, edhe barrën që i ka lënë kujtimi i gruas së vdekur, Betit. Në mënyrë të natyrshme. Kurrë nuk ka reshtuar së jetuari me të. Merr edhe dashurinë për vajzën e tij që studion mjekësi në Venecia. Ajo do t’i gjendet pranë në spital në fund të filmit, në Venecia, pas një incidenti të kobshëm, qesharak, por jo vdekjeprurës. Do t’i gjendet si bijë, më tepër sesa si doktoreshë. Të dyja, Beti dhe vajza, do ta mundojnë rrugës.

Kaçi, gruari i madh e i pamundur, merr me vete dëshirën dhe pamundësinë e tij për seks – i çatrifilohet zemra sa herë që provon të penetrojë trupat e butë italianë me tytën e vet. Merr edhe telefonin, përmes të cilit e kontrollon orë e minutë një grua xheloze e gjëmëmadhe.

Në Bari, një takim me një ish-regjisor të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, që tani punon me filma të animuar jo fort larg bregut shqiptar. Biseda nxjerr në pah xhelozinë për suksesin e Vasit, por shqiptari mishin ta ha e kockën ta ruan. Regjisori xheloz i jep Vasit dhe Kaçit makinën e tij të punës për të shkuar në Venecia.

Nisen. Apo ishin nisur tashmë? Eh, kjo rrugë e tyrja është plot nisje e mbërritja mbetet gjithnjë në dyshim.

Përpara nisjes së dytë, Vasi ndesh në dy murgesha jashtë një kishe, teksa ai vetë është duke u lutur. Yje, të bukura. Mu në sytë e tij, aty jashtë kishës, ato heqin veshjen prej murgeshe dhe shikuesi e kupton vrik se janë aktore filmash porno.

Ato janë nisur për një audicion për një nga ato filmat e sojit të tyre. Janë nisur drejt Venecias edhe ato. Ose do të nisen.

Koka me të cilën Kaçi mendon dhe vepron u thotë ta bëjnë bashkë rrugën, në makinën e marrë borxh. Bien dakord, në italishten e lezetshme të shqiptarit që flet rëndom italisht, si të gjithë.

Në parantezë: dialogjet janë në shqip dhe italisht, dhe në të dyja gjuhët rrjedhin përgjithësisht në mënyrë të natyrshme. Me të drejtë, në bisedat pas filmit, disa vërejtën se kjo nuk është fort e zakontë në filmat shqiptarë, ku dialogjet shpesh kanë një veti druri të thatë që nuk përkulet pa u thyer.

Nisen për në Venecia, pra. Të katër. Nisja e tretë.

Prej këtu e përpara kësaj, filmi prek sa të duash çështje që mund të hapin diskutime në kafene me miq pas shfaqjes. Një tip Jezusi “arab” shëlbyes që ngjitet në qiell me balonë; darka ëndërrimtare në sheshin mes mureve të rrënuara të një ndërtese të lashtë pranë kishës (që sjell ndërmend një skenë nga Tigri dhe Bora e Roberto Beninjit); ciganët, si gjithnjë hajdutë, plani i një cigani të rehatuar në karrige (që dikujt i kujtoi Kohë Ciganësh të Emir Kusturicës); një portë pa mure në mes të fushës, që mund të nxiste përsiatje filozofike, por, ironikisht, veç i shërben njërës aktore të fshehë seksin e saj nga shikimi i të njohurve kur bën shurrën – të njëjtin seks që profesionalisht ia tregon gjithë botës; udhëtim, sakrilegj e çshenjtërime, epsh, dashuri, gjoks, mëdyshje, vrasje ndërgjegjeje, shpresë, ëndërr; një fjalim i sajuar me rastin e marrjes së çmimit në Venecia, jo përpara audiencës së shkëlqyeshme të festivalit, por përballë disa modeleve që shpresojnë të bëhen aktore filmash jo dhe aq artistik; zhgjëndër.

Mes gjithë këtyre, të qeshurat e shpeshta të shikuesve ishin të pasforcuara, çka tregon se autorët ia kanë dalë mbanë të mos i lënë temat me peshë, që gëlojnë nën sipërfaqe, ta kërrusin shikuesin. Filmi të bën të qeshësh. Shumë, madje, dhe jo me batuta banale, por në masë të madhe me situata gjenuine njerëzore. Është pa diskutim një dyorësh i kaluar mirë. Është një mundësi e rrallë për këtë verë të vakët nga ngjarjet artistike. Pastaj, është kinema e hapur. Loja e aktorëve është shumë e mirë; e Vasjan Lamit në rolin e Vasit, e shkëlqyer.

Filmi “Dy luanë drejt Venecias” do të shfaqet dy herë në ditë mes datave 8-12 qershor, në orën 19:30 dhe 21:00, tek Amfiteatri në Parkun e Liqenit. Bileta është e lirë. Rezervohet në telefon në 0692640633.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>