Lëshimi i faturave me sistemin e ri ‘online’ ka përfitime si nga ana e taksapaguesit dhe nga ana e shtetit.
Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli shpjegoi në emisionin “Me Pak Fjalë” përfitimet e sistemit të ri të fiskalizimit, ku faturat e lëshuara nga bizneset raportohen menjëherë tek Drejtoria e Tatimeve nëpërmjet një sistemi online.
Përfitimi kryesor i taksapaguesit do të jetë se “nuk do të ketë më stres psikologjik dhe pagesa nën dorë për inspektorët tatimorë”, sipas Çoçolit.
Ai theksoi se bizneset “do të harxhojnë më pak kohë” me sistemin e ri dhe “nuk ka nevojë që të paguajnë një ekonomist vetëm për këtë çështje”, pasi çdo shitje raportohet menjëherë në shtet.
“Përfitimi i taksapaguesit justifikon tërësisht kostot”, deklaroi Çoçoli.
Vendosja e sistemit të ri të fiskalizmit ka një kosto vjetore për bizneset prej 40 – 68 mijë lekë, ku përfshihen vula elektronike, shërbimi i internetit dhe mirëmbajtja e programit kompjuterik. Ndërsa kostot fillestare llogariten mes 15 – 60 mijë lekë.
Këtu përfshihet blerja e pajisjes së fiskalizimit, që mund të jetë një kompjuter, tablet, telefon smart dhe madje kasa fiskale moderne ku mund të instalohet programi, i cili është kostoja e dytë fillestare.
Megjithatë, kosto nga sistemi i mbledhjes së taksave ka edhe shteti. Sipas një studimi të vitit 2019, shteti ka humbur në vitin 2015, 14,4 miliardë lekë ose sa mbi 11 % e të totalit të të ardhruave të TVSH-së.
Për vitin 2018, hendeku është vlerësuar në 10,9 miliardë lekë ose mbi 7,8 % të totalit të të ardhurave nga TVSH-ja.
Sipas Fatos Çoçolit, sistemi i ri do të ndikojë ndjeshëm në uljen e evazionit fiskal dhe për këtë arsye ai tha se “përfitimi i shtetit është më i lartë se i tatimpaguesve”.
“Shteti – tha Çoçoli – nuk ka më nevojë të mbajë një armatë me inspektor tatimor pasi i shikon në kohë reale online.”
Ligji i ri për fiskalizimin duhet të fillonte të zbatohej që në fillim të vitit 2020 por është shtyrë disa herë.
Prej 1 janarit 2021 ai ka hyrë në fuqi për shitjet jo me para në dorë mes bizneseve dhe shtetit
Më 1 korrik 2021 do hyjë për transaksionet bankare dhe pagesat me kartë ndërmjet tatimpaguesve dh më 1 shtator 2021 për transaksionet me para në dorë të të gjitha bizneseve me xhiro mbi 2 milionë lekë.