Brenda një ore gjithçka u bë shkrumb e hi. Shtëpia e Grigor Krongos, monument i kategorisë së dytë, në lagjen Pazari i Vjetër në Gjirokastër, u shndërrua në gërmadhë, të dielën në mëngjes!
“Në mbërritëm shpejt, por flakët e kishin bërë punën… Sidoqoftë nuk kishte të lënduar dhe për fat arritëm të shpëtojnë shtëpinë ngjitur”, shprehet Vasil Çekani, shefi i parandalimit dhe mbrojtjes nga zjarri.
Kur zjarrfikësit mbërritën në vend, konstatuan se gjysma e kanatit të portës kryesore mungonte dhe në hapësirën e krijuar ishte vendosur një zgarrë hekuri.
Banesa ishte e pabanuar dhe pronarët, prej kohësh, jetonin në emigracion. Si për ironi, njëri prej tyre, Thanas Kamberi, njihet në qytet si studiues, i cili kohë më parë ka punuar në Atelie (sot DRKK), përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë.
“Mundësitë që zjarri të jetë shkaktuar aksidentalisht, për shkak të ndonjë endacaku që ka kaluar natën nën çati, janë të mëdha. Kjo ndërtesë dykatëshe është braktisur prej kohësh dhe ne kemi shkëputur energjinë elektrike, por dikush ka hyrë dhe pasi ka ndezur një zjarr, ndoshta për nevojat e tij, është larguar më pas, duke e lënë vatrën e ndezur,” përfundon Vasil Çekani.
Shtëpia ndodhet në një pikë të favorshme dhe është tepër tërheqëse për vizitorët, ndaj ndikimi i rrënimi të saj do të jetë i dukshëm për ansamblin historiko-arkitekturor të banesave të qytetit të gurtë.
“Banesa Krongo e njohur, tradicionalisht, si ‘shtëpia e Vasilikës’ është një prej objekteve me emblematike, në hyrjen e lagjes Pazari i Vjetër. Djegja është rezultat i braktisjes dhe i keqadminsitrimit,” shprehet i dëshpëruar arkitekti Kreshnik Merxhani, ish punonjës i DRKK-së të Gjirokasrtës. “Kjo humbje i shtohet të tjera monumenteve të djegura si Kokalari dhe Hadëri”.
Një vit më parë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro publikoi listën e monumenteve të banesave historike për qytetin e Gjirokastrës dhe banesa Krongo u shpall monument i kategorisë së dytë përmes Urdhrit Nr 135, datë 11 maj 2016.
Ndërkohë, nën pretendimin se po ndiqeshin udhëzimet dhe direktivat e UNESCO-s, ku kërkohej “një klasifikim më i saktë”, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve lanë jashtë listës dyqind e dyzet e katër banesa të tjera.
Si pjesë e një fushate propagandistike për rigjallërimin e zonave historike, në korrik të 2015-s, qeveria miratoi Rregulloren për Mbrojtjen dhe Konservimin e Integruar të Zonës së Mbrojtur në Gjirokastër dhe, sipas nenit 19, “Çdo objekt monument kulture duhet të jetë i pajisur me fikës zjarri portativ”.
Një kërkesë e tillë, pra pajisja e zonës historike të Gjirokastrës më hidrantë portativë, konsiderohej thelbësore edhe në raportin e UNESCO-s të hartuar nga Eleni Maistrou të Nëntorit 2012.
Por, siç ndodh rëndom në Shqipëri, masat mbeten vetëm në letër. Hidrantët portativë, ndonëse një pjesë janë të vendosura, këtë të dielë nuk funksionuan.
“Po këtu uji vjen me orar dhe fiksat portativë nuk funksionojnë, ndaj u detyruan të sjellim makinën dhjetë mijë litroshe me ujë. Sidoqoftë ishim afër dhe mbërritëm në kohë”, sqaron Vasil Çekani, shefi i parandalimit dhe mbrojtjes nga zjarri.
“Vendosja e tyre është thjesht fasadë!” – thotë arkitekti Merxhani. “Fiksat duhet të kenë depozitë më vete, të pavarur prej depozitës qëndrore, ku merr ujë i tërë qyteti”.
Natyrisht, prokuroria si gjithmonë do të fillojë hetimet dhe shërbimi i mbrojtjes nga zjarri do të hartojë raportin final të ekspertizës, por një gjë është e qartë qysh tani: pakujdesia dhe shpërfillja e qeverisë po e shndërrojnë Zonën Historike të Gjirokastrës në një gërmadhë!