Flet nga burgu i Ekuadorit i dyshuari kryesor për pengmarrjen e Jak Prengës

Nga Exit News
Flet nga burgu i Ekuadorit i dyshuari kryesor për pengmarrjen e Jak Prengës

Gramoz Rexhepi, i dyshuar nga autoritetet shqiptare se dha urdhërin për pengmarrjen dhe vrasjen e Jak Prengës ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje.

Në një intervistë eskluzive për gazetarin Artan Hoxha në Abc News, Rexhepi, i njohur edhe me emrin Dritan, ka folur për çështjen nga burgu famëkeq i Kiutos në Ekuador.

Ai është shprehur se nuk ka lidhje me pengmarrjen e Jak Prengës. Mohon çdo bisedë me vëllezërit e tij dhe thotë se nuk ka lidhje as me rreth 300 kilogramë kokainë te pretenduara se u bërë shkak për vrasjen.

“Nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje dhe nuk ka si te kem kur ndodhem prej afro 6 vitesh në një burg të sigurisë së lartë në anën tjetër të botës, në Ekuador. E vetmja gjë që më shkon ndërmend është që dikush u ka bërë presion në emrin tim. Unë kam 15 vite larg Shqipërisë, i arratisur nga burgu, i dënuar për vrasje, i burgosur në Ekuador, duket sikur i plotësoj elementet për tu përdorur si kërcënim”

Prenga, baba i 5 fëmijëve, u mor peng më 17 janar në Kamëz. Trupi i tij nuk është gjetur edhe po kalon rreth 1 muaj nga ngjarja. Çështja i ka kaluar për hetim SPAK-ut, ndërsa dyshohet të jenë përfshirë të paktën 3 grupe kriminale. Mediat, duke cituar burime nga prokuroria, kanë përmendur shpesh emrin e Rexhepit si urdhërues të pengmarrjes.

Për të qartësuar pozicionin e tij, Rexhepi i ka kërkuar prokurorisë zbardhjen e tabulateve ku mund të tregohen të gjitha komunikimet e të afërmve të Prengës.

Në lidhje me porosinë prej rreth 300 kilogramësh kokainë, grabitur nga vëllai i Jak Prengës një bande në Angli dhe për të cilën thuhet se iu mor peng i vëllai, Rexhepi thotë:

“[…] nuk e di ne cilin film mund ta keni parë këtë […] e kuptoni që ndodhem në burg në fund të botës, i survejuar në çdo moment, […] këtu nuk punon as telefoni celular […] mes bandave në burgje janë bërë vrasje dhe policia ka vendosur antena bllokuese”.

Rexhepi mohoi kategorikisht përfshirjen, megjithatë ai pranon se flet vazhdimisht me familjarët e tij në Shqipëri.

Dritan Rexhepi u arrestua në qershor të vitit 2014 në qytetin portual të Guajakilit (Guayaquil), 430 kilometra në jug të kryeqytetit të Ekuadorit Kuito (Quito).

Autoritetet e akuzojnë si pjesëtar të një grupi narkotrafiku që po mundohej të trafikonte rreth 250 kilogramë kokainë. Bashkë me të u arrestuan edhe 10 persona të tjerë, por që aktualisht vetëm Rexhepi mbetet në burg, i dënuar me 13 vite.

Rexhepi është dënuar në Shqipëri për vrasje, ndërsa vende të tjera të BE-së kërkojnë ekstradimin e tij pasi e akuzojnë për narkotrafik, grup kriminal, grabitje dhe arratisje nga burgu.

Ekstradimi nuk është kryer, pasi çështja e tij nuk është shqyrtuar ende nga të gjitha shkallët e gjyqësorit në Ekuador.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>