Në të gjitha deklarimet e muajve të fundit, FMN ka shprehur shqetësimin e saj për transparencën e politikave të qeverisë, duke theksuar, veçanërisht, rreziqet e politikave jo tranpsarente konçesionare të qeverisë.
Por në deklaratën e djeshme të FMN-së duket se shqetësimi kryesor i Fondit mund të jetë konçesioni i TVSH-së që po përgatit qeveria. Edhe pse konçesioni nuk përmendet direkt, paralajmërimet e FMN-së janë qartësisht të aplikueshme për këtë konçesion.
Në deklaratë, ndër të tjera, FMN shprehet:
“Përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e mbledhjes së taksave duhet të jenë në harmoni me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe duhet të përqëndorhen në zbatimin vullnetar.
“Autoritetet… duhet të sigurojnë që ndikimi i do projekti të ri publik-private në të ardhurat fiskale të vlerësohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare.”
Konçesioni i TVSH-së që po përgati qeveria i shkel haptazi të dyja këto këshilla të FMN-së.
Së pari, zgjedhja e formës konçesionare dhe vetë formula e konçesionit nuk kanë as lidhjen më minimale me ndonjë praktikë ndërkombëtare, madje nuk ka asnjë rast tjetër në botë ku të jetë zbatuar një zgjidhje e ngjashme.
Së dyti, ndikimi i mundshëm i konçesionit në të ardhurat fiskale nuk është analizuar fare, sikurse nuk është bërë transparent as studimi i fizibilitetit të projektit konçesionar. Për më tepër, pa asnjë vlerësim dhe pa asnjë bazë qeveria ka vendosur t’i japë konçesionarit përfitime skandaloze nga të ardhurat fiskale mbledhja e të cilave nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin e konçesionarit.
Konçesioni i TVSH-së është projekt i një grupi biznesmenësh të afërt me Kryeministrin Rama. Pavarësisht kundërshtimeve publike dhe të specialistëve, Kryeministri Rama duket i vendosur ta realizojë konçesionin.
Shkarkimi i para dy ditësh i Ministrit të Financave Shkëlqim Cani u interpretua, gjerësisht, si eleminim i pengesës kryesore ndaj këtij konçesioni.