FMN ngre alarmin kundër krijimit të Korporatës së Investimeve Shqiptare

FMN ngre alarmin kundër krijimit të Korporatës së Investimeve Shqiptare

FMN kundërshton me forcë krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), sipas përcaktimeve të projekt-ligjit që qeveria ka dërguar në Kuvend.

Në raportin më të fundit të misionit të saj në Shqipëri, FMN shprehet se i ka kërkuar me nota të forta qeverisë që “të rishikojë propozimin që krijon Korporatën e Investimeve Shqiptare”, duke shprehur një sërë rezervash ndaj projektit që qeveria ka paraqitur në Kuvend.

Praktikisht, FMN ka riokonfirmuar të gjitha shqetësimet që Exit.al ka ngritur qysh në fillim për rreziqet që vinë nëse lejohet krijimi i KISH. Sikurse ne jemi shprehur, këtu dhe këtu, korporata do të jetë një instrument për privatizimin de facto të pronave publike në favor të klientëve duke shmangur çdo ligj dhe standard të vendit.

FMN shprehet se nëse korporata miratohet në formën e tanishme kjo do të bartë rreziqe për buxhetin e shtetit dhe në përgjithësi për kuadrin e investimeve publike.

Sipas FMN-së, forma që i është dhënë korporatës bën që ajo të jetë një institucion që kontrollohet nga qeveria, por që përjashtohet nga përgjegjësia për menaxhimin buxhetor, çfarë rrezikon të “gërryejë disiplinën fiskale dhe të anashkalojë procesin e menaxhimit të investimeve publike.”

FMN i ka sugjeruar qeverisë që të përcaktojë qartë me ligj kontributin financiar që ajo do të ketë në korporatë dhe mbi të gjitha t’ja nënshtrojë korporatën ligjit të prokurimit publik—në projekti-ligjin e qeverisë korporata përjashtohet nga veprimi i Ligjit për Prokurimet Publik, dhe i lihet Këshillit të Ministrave e drejta të përcaktojë rregulla të posaçme për prokurimet e korporatës.

FMN sygjeron se korporata duhet të jetë e pavarur në vendim-marrje nga qeveria për të siguruar që ajo do të veprojë mbi parime të shëndosha tregtare dhe pa u përdorur nga qeveria për interesa të tjera.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>