Në kuadër të mbikëqyrjes së Shqipërisë, një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar vizitoi Shqipërinë në mes të marsit. Në fund të misionit, ekipi i FMN-së bëri publik një dokument rreth gjetjeve dhe rekomandimeve kryesore që ata i kanë bërë qeverisë. Më poshtë është një përmbledhje e këtyre gjetjeve dhe këshillimeve.
— FMN paralajmëron uljen e rritjes ekonomike të vendit si pasojë e ndërprerjes së burimeve të rëndësishme të financimeve të huaja për ekonominë, me mbarimin e investimeve të mëdha të infrastrukturës në sektorin e energjisë—kryesisht gazsjellësit TAP dhe hidrocentralit të Devollit.
— Mungesa e reformave strukturore, veçanërisht në sektorin e energjisë, të menaxhimit financiar publik dhe në fushën e drejtësisë, do të ketë ndikim negativ dhe do të sjellë ulje të rritjes ekonomike.
— Nga ana tjetër, FMN mendon se niveli i lartë i borxhit publik të vendit, i rënduar nga detyrimet afatgjata në rritje të PPP-ve, mund të krijojë probleme fiskale dhe do të ulë investimet private në ekonomi.
— FMN rithekson shqetësimin se borxhi publik i Shqipërisë është i lartë, duke arritur 71,2 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto (PPB), pa përfshirë detyrimet për pagesat në kuadër të PPP-ve. Vetëm detyrimet e papaguara të qeverisë dhe pushtetit lokal kanë arritur në 1,8 përqind të PPB, pra mbi 270 milionë dollarë.
— Kjo gjendje e borxhit mund të bëhet e papërballueshme nëse ulet ritmi i rritjes ekonomike dhe rritet interesi i borxhit në tregje. Ndërkohë, FMN vlerëson se aftësitë e Ministrisë së Financave për të menaxhuar borxhin janë të kufizuara dhe duhet të përmirësohen.
— FMN kritikon indirekt politikën e rrëmujshme të investimeve publike të qeverisë që ka çuar në përqendrimin e investimeve publike në projekte të parëndësishme—edhe pse nuk e përmend direkt, kritika nënkupton projektet e ashtuquajtura të “rilindjes urbane”. Për këtë arsye, FMN i bën thirrje qeverisë që të vendosë prioritete në përcaktimin e investimeve publike, veçanërisht në vendim-marrjen për PPP-të që do të ndërmerren.
— FMN vazhdon të jetë kritike me politikat qeveritare në lidhje me PPP-të. Ajo konstaton se ato përmbajnë detyrime të mëdha që paguhen në afatgjatë. FMN bën thirrje për rritjen e aftësive për vlerësimin e riskut, i cili është faktori kryesor në vendim-marrjen nëse do përdoret PPP apo kontraktim i thjeshtë për realizimin e shërbimeve apo investimeve publike.
— Në mënyrë të veçantë, FMN bën thirrje të qartë për heqjen dorë menjëherë nga praktika e PPP-ve që vihen në lëvizje nga oferta të pakërkuara nga operatorë privatë.
— Investimet mbeten problem i mprehtë për Shqipërinë. Mungesa e lidhjeve infrastrukturore, informaliteti i lartë i ekonomisë, kapitali njerëzor me cilësi të varfër, mungesa e qasje në financime, si dhe mungesa e zbatimit të të drejtave të pronësisë dhe korrupsioni në drejtësi, janë pengesat kryesore për investimet e huaja dhe faktorë që minojnë konkurrueshmërinë e Shqipërisë. Përmirësimi i klimës së investimeve kërkon transformime strukturore—reforma që ndryshojnë strukturën e ekonomisë dhe mjedisin ekonomik.
— FMN zbulon një zhvillim të padiskutuar asnjëherë nga qeveria: planin e qeverisë për të themeluar një bankë investimesh. FMN duket se është kundër kësaj mase edhe pse nuk e sulmon direkt, por bën thirrje që në konsiderimin e këtij projekti qeveria duhet të jetë e kujdesshme dhe vetëdijshme për vështirësitë, pasi përvoja ndërkombëtarë dëshmon se një praktikë e tillë mbart rreziqe të mëdha financiare, fiskale dhe administrimi.
— FMN konstaton se sektori bankar vazhdon të jetë i rënduar nga kreditë e këqija dhe nga pamundësia për të ekzekutuar kolateralet që kanë garantuar kreditë e dhëna. Politikat e bankave të BE-së për të ulur rreziqet e panevojshme, mund të shtojnë trysninë ndaj degëve të tyre në Shqipëri.
— Edhe pasi bankat kanë pastruar bilancet nga një pjesë e madhe e tyre—një udhëzim i Bankës Qendrore u lejoi bankave të heqin nga bilancet e tyre të gjitha kreditë që ato nuk kanë më asnjë shpresë të rimarren—niveli i kredive të këqija në fund të 2017-s mbetet i lartë në nivelin 13,2 përqind.