Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon rimëkëmbjen e ekonomisë së Shqipërisë në vitin 2021, pas prekjes nga kriza e Covid-19.
Ky është përfundimi i arritur nga FMN, pas përfundimit të mbledhjes online mes Guvernatorit Gent Sejko dhe zonjës Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, më 18 shtator.
Në një njoftim për shtyp, mësohet se FMN ka vlerësuar pozitivisht politikat monetare të ndërmarra nga Banka qendrore, “duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022”.
Ndërsa Guvernatori Sejko tha se “efekti i pandemisë në ekonomi të vijë progresivisht drejt reduktimit, duke u shoqëruar me një rimëkëmbje graduale të aktivitetit ekonomik në periudhën në vijim”.
Banka e Shqipërisë dhe FMN ranë dakord se mbështetja fiskale dhe monetare e koordinuar ka luajtur rol të rëndësishëm në “zbutjen e pasojave negative të krizës”.