Fondacioni Konrad Adenauer përgënjeshtëroi sot lajmin e disa mediave ditët e fundit, se ky fondacion ka bërë një sondazh për Partinë Demokratike dhe situatën politike në vend.
Me anë të një njoftimi për shtyp, Fondacioni sqaron:
“Dje dhe sot, disa portale kanë publikuar një lajm sipas të cilit Fondacioni “Konrad Adenauer” në Tiranë ka realizuar një sondazh të brendshëm për Partinë Demokratike. KAS njofton se ky është një lajm i rremë dhe i pavërtetë dhe se të gjitha të dhënat dhe atributet që na jepen në të ashtuquajturin raport sondazhi për PD-në, janë të sajuara. Kërkojme që në të ardhmen, për çdo lajm që lidhet me KAS, të kontaktohet paraprakisht zyra jone duke mos krijuar lajme të rreme dhe të njëanshme.”
Sipas lajmit të rremë që qarkulloi në media ditët e fundit, KAS kishte bërë një sondazh të brendshëm për PD në të cilin përshkruhej se si perceptohet aktualiteti politik nga qytetarët, ku një ndër gjetjet kryesore ishte fakti se PD ka humbur mbështetje mes qytetarëve.