FMN, klima e biznesit është e keqe

FMN, klima e biznesit është e keqe

Ndryshe nga pretendimet e qeverisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pohon se klima e biznesit në Shqipëri nuk është e mirë. Për të disatën herë, edhe në raportin e djeshëm, FMN shprehet kritike për mbarëvajtjen e reformave të qeverisë dhe këshillon përballjen e problemet kryesore që ndikojnë klimën e biznesit.

Ndër të tjera, raporti thekson:

“Shqipëria ka mbetur prapa vendeve të rajonit në lidhje me përmirësimin e klimës së biznesit. Këtë e tregon dhe renditja më dobët se vendet e tjera të rajonit në raportin “Të bësh biznes” të Bankës Botërore.

Opionionet e marra në vrojtomet e sipërmarrësve tregojnë se vështiresitē kryesore qē ata ndeshin janë sistemi dhe procedurat e ndërlikuara tatimore, institucionet e dobëta, infrastruktura e varfër dhe sistemi gjyqësor i cili nuk mbron të drejtën e pronës dhe pengon sundimin e ligjit.

Reformat kyçe për përmirësimin e klimës së biznesit—sidomos reformat në lidhje me të drejtën e pronësisë, zgjidhjen e kredive të këqija dhe përmirësimin e qeverisjes—kanë mbetur prapa.

Për pasojë janë të nevojshme reformat strukturore për përmirësimin e klimës së biznesit , si miratimi dhe zbatimit i reformës në drejtësi, forcimi i të drejtës së pronës, përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e shumëllojshmërisë së eksporteve.”

Ndërkohë, Kryeministri Rama dhe Ministri i Financave Ahmetaj duket se e shohin ndryshe realitetin ekonomik dhe klimën e biznesit.

Dy ditë më parë, në një mbledhje të Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kryeministri Rama u shpreh:

“Të më thoni mua se klima e biznesit sot është e përkeqësur, kur 32 muaj më parë nuk merrenin asnjë TVSH pa paguar të paktën 50 për qind, kjo është e tepruar. Të më thoni mua që administrata tatimore, sot, përbën një problem të atillë që mund të lexohet si përkeqësim i klimës së biznesit, kjo është e tepruar.

Funksionimi i administratës tatimore e doganore ka dhënë përmirësime të mëtejshme. Me po të njëjtin sinqeritet dhe ndershmëri që jam gati të ballafaqohem me këdo.”

Një javë më parë, edhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj, iu drejtua sipërmarrësve me fjalët, “shijojeni pranverën e lënies prapa të krizës!”

Por përfaqësuesi i FMN-së Jens Reinken iu përgjigj Ministrit Ahmetaj në mënyrë direkte dhe duke lënë mënjanë diplomacinë: “Kur unë flas me përfaqësues të sektorit privat marr përshtypjen se ata nuk janë në humor për të shijuar ndonjë gjë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>