
Qeveria vazhdon të ushtrojë presion ndaj administratës për të kontribuar në fondin e rindërtimit për pasojat që shkaktoi tërmeti.
Më 20 dhjetor me moton “Ti nuk do jesh kurrë vetëm” organizohet koncert në Parkun Olimpik Tiranë. Organizatorët kanë vendosur që të ardhurat e mbledhura nga çmimi i biletave t’ia kalojnë fondit të rindërtimit të shkollave të rrënuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Çmimi i biletave është 10,000 lekë dhe burime për Exit News thanë se një pjesë e administratës në institucione si Ministria e Bujqësisë, është urdhëruar të shkojë në koncert.
Gjatë ditës së sotme u raportua se në këtë koncert do të marrin pjesë edhe Presidenti i Serbisë Alexandar Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Pas tërmetit, qeveria i hoqi administratës shpërblimet e fundvitit. Në media u publikuan shkresa të rrjedhura nga Policia dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ku punonjësit urdhëroheshin të kontribuonin për fonde. Edhe pse u theksua se kontributet ishin vullnetare, nga policia u mblodhën 850 mijë euro.