Formohet Këshilli i Lartë Gjyqësor

Formohet Këshilli i Lartë Gjyqësor

Më 12 dhjetor, u zhvillua Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve gjatë së cilës u zgjodhën gjashtë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, një prej insitucioneve më të rëndësishme të reformës në drejtësi.

Në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve morën pjesë 339 gjyqtarë nga 354 gjyqtarë që ka nëpër gjykatat shqiptare.

Nga votimi i gjyqtarëve u përzgjodhën këto gjyqtarë për të qenë pjesë e KLGJ:

 – Nga Gjykata e Lartë gjyqtari: Medi Bici;

 – Nga gjykatat e apelit gjyqtarët: Brikena Uperaj dhe Ilir Toska;

 – Nga gjykatat e rretheve: Dritan Hallunaj, Brunilda Kadi dhe Marçela Shehu.

Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor do të qëndrojnë në detyrë për 5 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme.

Kush janë anëtarët e rinj të KLGJ-së?

Medi Bici është pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 1994 dhe deri në vitin 2004 ka punuar gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Më pas deri në vitin 2010, u zhvendos në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Ndërsa që prej vitit 2013, Medi Bici është anëtar i Gjykatës së Lartë.

Brikena Ukperaj e ka nisur karrierën në gjykatën e Tiranës në vitin 2006. Më pas ka punuar në Lushnje dhe që prej nëntorit 2016 është gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë. Për gjyqtaren Ukperaj kishte të paktën 11 denoncime nga qytetarët por që nuk u morën parasysh nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Ilir Toska ishte i pari gjyqtar për të cilin Drejtoria e Sigurisë dhe Informacionit të Klasifikuar (DSIK) kërkoi shkarkimin nga detyra. Sipas DSIK gjyqtari Toska është i papërshtatshëm për vazhdimin e punës. Në dosjen e DSIK-ja janë përfshirë dhe gjashtë ankesa nga qytetarët për korrupsion, por KPK nuk i mori parasysh ato dhe e konfirmoi në detyrë gjyqtarin.

Dritan Hallunaj ka punuar që prej vitit 2003 si gjyqtar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Zoti Hallunaj u vlerësua si i përshtatshëm për detyrën nga DSIK dhe kishte deklaratë të saktë pasurie.

Brunilda Kadi ka punuar në gjykatat e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit dhe që prej vitit 2015 është pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pavarësisht kalimit me sukses të vetingut, KPK vendosi transferimin e një ndër vendimeve të gjyqtares në KLD për të vlerësuar nëse ka shkelje disiplinore.

Marçela Shehu e ka nisur karrierën në vitin 2006 dhe ka punuar gjyqtare në Gjykatën e Kurbinit. Zonja Shehu mori vlerësim pozitiv për pasurinë, figurën dhe profesionalizmin.

Më herët gjatë këtij viti janë përzgjedhur dhe 5 anëtarët jo-gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilët janë:

 – Avokatë: Fatmira Luli dhe Alban Toro;

 – Profesorë: Erjon Muharremaj dhe Maksim Çoku;

 – Shoqëria Civile: Naurela Llagami.

Ndryshe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë asnjë prej vendimeve për gjyqtarët anëtarë të KLGJ-së nuk është ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Megjithatë, përzgjedhja e anëtarëve përpara se të gjithë kandidatën të kalonin të dy fazat e vetingut – seancën në KPK dhe vendimin e formës së prerë nga KPA, – i ka hequr të drejtën e aplikimit gjyqtarëve Artan Lazaj, Artan Zeneli, and Bledar Abdullai, të cilët janë shkarkuar nga KPK-ja por kanë ankimuar vendimin në KPA.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>