Fotoreportazh: Fshatrat e rrënuara jashtë vëmendjes së shtetit

Nga Alice Elizabeth Taylor
Fotoreportazh: Fshatrat e rrënuara jashtë vëmendjes së shtetit

Dy javë pas tërmetit shkatërrues që mori jetën e 51 personave, situata në terren duket po aq katastrofike sa më 26 nëntor.

Stafi i Exit News vizitoi disa prej zonave të prekura nga tërmeti, Thumanë, Mamurras, Fushë-Mamurras, Bubq e Vlashaj, ku shumë prej familjeve të dëmtuara nuk kishin marrë asnjë ndihmë nga shteti, qoftë për akomodimin e përkohshëm, ndihma, furnizime apo qoftë dhe vizita nga ekspertë e inxhinierë për të vlerësuar banesat e tyre.

Në Fushë Mamurras, një zonjë tha për Exit News se banesa e saj dy-katëshe është dëmtuar seriozisht nga tërmeti i 26 nëntorit, por më 28 nëntor bashkia i ka thënë se ajo bashkë me 5 fëmijët e saj mund të qëndrojnë brenda pasi ndërtesa është e sigurtë.

Më pas, më 8 dhjetor, pas një goditje më forcë 4,5 ballë pak pas mesnate, disa prej mureve në dhomat e gjumit ishin shembur totalisht dhe disa pjesë të tavanit kishin rënë.

Gruaja arriti të shpëtojë disa prej fëmijeve pa dëmtime, por djali i saj 6 vjeçar vrau këmbën. Tani, të tetë anëtarët e kësaj familjeje, po jetojnë në një tendë të oborr.

Bashkia nuk u ka ofruar atyre ndihma dhe ushtria i ngriti familjes tendën 30 minuta pasi stafi i Exit News kishte arritur aty, pra disa ditë pas tërmetit të 8 dhjetorit.  Tetë anëtarët e familjes jetojnë me rreth 250 mijë lekë të ardhura në muaj dhe nuk kanë asnjë mjet apo mundësi për të rindërtuar shtëpinë e tyre.

Një tjetër familje, po në këtë zonë, i tha Exit News se as ata nuk kishin marrë ndihmë nga bashkia dhe se shtëpia e tyre nuk ishte vlerësuar nga ekspertët. Zonja Lindita dhe bashkëshorti i saj treguan se kishin shkuar në bashki për të kërkuar ndihma, por punonjësit e bashkisë i kanë thënë se meqë janë mbështëtës të opozitës, nuk do të merrnin gjë.

Lindita fle çdo natë në shtëpinë e saj, pavarësisht faktit se tavani po varet, ndërsa dy djemtë e saj flenë në një divan të mbuluar nga një plastmas në kopsht.

“Do jepja jetën vetëm ata të jenë të sigurtë. Nuk më intereson vetja ime, vetëm djemtë,” tha ajo.

Një tjetër banor tha se për familjen e tij me 8 anëtarë, bashkia i ka dhënë një tendë për katër anëtarë dhe asnjë ndihmë tjetër në ushqime apo mjete:

“Ne nuk jemi njerëz me pushtet, prandaj nuk na ndihmon njeri. Ata ndihmojnë vetëm ata që ia kanë interesin, kështu bëhet këtu.”

Kur e pyetëm se pse ai mendon se shteti nuk po i ndihmon njerëzit aty, ai tha se ‘ata po i mbajnë për vetë, kaq e thjeshtë ”.

Exit News po ashtu vëzhgoi dëmet në shkollën lokale në Fushe Mamuras, por fëmijët vazhdonin ende të zhvillonin mësimin aty pavarësisht rrënojave.

Asnjë prej familjeve që vizituam në zonën e Mamurrasit nuk kishin marrë ndihmë nga bashkia, pavarësisht se magazina e ndihmave ishte e mbushur plot.

Në fshatin Vlashaj, jo shumë larg Tiranës, rreth 25 familje janë pa shtëpi. Megjithëse inxhinierët e bashkisë i kanë vizituar dy herë për të kontrolluar banesat, asnjë tendë, batanije apo ndihma në ushqime nuk i është dhënë këtyre familjeve. Disa janë strehuar në çadra, të cilat i kanë marrë nga organizata joqeveritare. Një familje me 6 anëtrë po fle në një furgon. Një kishë aty pranë po i ofron familjeve një vakt ushqim në ditë dhe po i ndihmon me batanije dhe ndihma të tjera.

Një burrë që lejoi stafin e Exit News të vizitonte shtëpinë, shpjegoi se atyre nuk u është ofruar ndihmë. Tani ai po punon për ta shndërruar një stallë në dhomë ku ai dhe gruaja e tij do të flenë.

Exit News pyeti një vullnetare se çfarë i ka ofruar shteti këtyrë familjeve, por duke qeshur ajo tha se “këto familje janë injoruar totalisht”.

Në Thumanë, vizituam një familje e cila po kërkonte mes rrënojave të shtëpisë së shkatërruar totalisht. Mirushja na tregoi se si ishte zgjuar bashkë  me fëmijën e saj të sapolindur, nga tërmeti i 26 nëntorit dhe se si kishte mundur të dilte nga banesa vetëm disa momente para se shtëpia të shembej.

Ajo shpjegoi se bashkia i kishte thënë se shtëpia e saj ishte e pabanueshme pas tërmetit të shtatorti, por nuk e detyruan të dilte nga shtëpia e nuk i dhanë asnjë mundësi se ku të jetonte. Me rreth 8 mijë lekë të ardhura në muaj, ajo nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të qëndronte në shtëpi bashkë me 3 fëmijët e saj.

Në Durrës, magazina e Bashkisë ku janë vendosur ndihmat është e mbushur në të dyja katet, por sërish ka plot familje që nuk kanë marrë asgjë.

Dy persona që po shpërndanin ndihmat e mbledhura nga prindërit e nxënësve të shkollës ku punojnë, thanë se ndihma ka pasur shumë, por nuk po shpërndahen nga bashkia.

“Shihet qartë se shkolla është plot me ndihma, por i lënë aty, se kuptoj se pse”, thanë ata. Këto pretendime u konfirmuan dhe nga vullnetarë të tjera për organizata jo qeveritare, të cilët pohuan se magazinat shtetërore janë plot me ndihma, por sërish familjet në fshatrat e prekura po ndihmohen nga shoqëria civile.

Exit News bisedoi me rreth 12 familje në disa fshatra dhe takoi vullnetarë nga organizata vendore dhe të huaja. Të gjithë raportuan se shteti nuk ka arritur të sigurojë ndihmën e nevojshme për këto familje, siç janë ushqimi, tendat dhe furnizimet e tjera.

Pas milionave para dhe ndihma sa për të mbushur plot magazinat i janë dhënë shtetit, përse dhjetra familje mbeten ende pa mbështetje dhe të varur nga puna e vullnetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile?!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>