Franca dhe Britania propozojnë krijimin e një zone të sigurt në Kabul për të mbrojtur njerëzit që përpiqen të largohen nga vendi tha të dielën Presidenti francez, Emmanuel Macron.
Propozimi do të jetë në formën e një rezolute e cila do të paraqitet në një takim urgjent të vendeve të Këshillit të Sigurisë në Kombet e Bashkuara që do të mbahet të hënën, raporton Reuters.
“Propozimi ynë synon të përcaktojë një zonë të sigurt në Kabul, nën kontrollin e OKB-së, e cila do të lejojë që operacionet humanitare të vazhdojnë,” tha Macron për gazetën franceze Le Journal du Dimanche në një intervistë të botuar të dielën.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka thirrur një takim mbi Afganistanin me të dërguarit e OKB-së për Britaninë, Francën, Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë.
Macron tha të shtunën se Franca po zhvillonte diskutime paraprake me talebanët për situatën humanitare në Afganistan dhe evakuimin e mundshëm të më shumë njerëzve nga vendi.
Forcat ushtarake amerikane, të cilat kanë ruajtur aeroportin në Kabul, do të tërhiqen deri në 31 gusht, një afat i caktuar nga Presidenti Joe Biden. Franca është ndër vendet që i kanë dhënë fund evakuimeve nga aeroporti i Kabulit, sëbashku me Britaninë.