Në Samitin e Berlinit me vendet e Ballkanit Perëndimor, Franca dhe Gjermania i zbehën shpresat për hapjen e negociatave apo anëtarësimin e shpejtë në BE të ndonjë vendi.
Gazeta britanike Financial Times (FT) ka botuar një artikull me titullin “Franca dhe Gjermani i hedhin ujë të ftohtë shpresave të Ballkanit për anëtarësim të menjëhershëm në BE”. Ajo shkruan se Merkel dhe Makron i kërkuan drejtuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor të rregullojnë njëherë punët në vendet e tyre, pasi mundësitë që ato të hyjnë së shpejti në BE janë të vogla.
Në samit morën pjesë drejtuesit e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Kosovës.
Sipas FT, Makroni u përqendrua te “stabiliteti politik” në rajon. Ai tha se Franca ishte e gatshme t’i ndihmonte këto vende me reformat në fushat kyçe, por jo aq përmes procesit të zgjerimit të BE-së. Makron u shpreh se Franca tani do që bashkë me këto vende “të punojnë së bashku”.
Hapja ose jo e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pritet si një test nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për të parë nëse BE-ja është gati për zgjerim apo jo.
Kancelarja Merkel u përqendrua te zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka qenë gjithnjë një kundërshtare e fortë e çfarëdolloj plani për shkëmbim territory, shkruan FT, pavarësisht mbështetjes për të tilla ide nga SHBA dhe Komisioni Evropian.
Gazeta britanike citon analistë evropianë që nënvizojnë se këto plane janë shqetësuese, pasi cenojnë pakicat etnike dhe i bëjnë shtetet të garojnë për të rritur kapacitetet ushtarake. Ata shtojnë se drejtuesit e këtyre vendeve nuk e kuptojnë vërtet rëndësinë e BE-së, ndërkohë që ky është partneri i tyre më i rëndësishëm.
Merkel dhe Makron e thirrën këtë samit për shkak të shqetësimeve në lidhje me çështjen e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për të shprehur mbështetjen në afatgjatë të Gjermanisë dhe Francës për anëtarësimin e këtyre vendeve në BE. Dy drejtuesit më të rëndësishëm të BE-së u kujtuan drejtuesve të Ballkanit Perëndimor se BE-ja është ende aty dhe se Ballkani është në vëmendjen e tyre.
Sa i përket drejtpërdrejt shqiptarëve, duket se ky samit ka nxjerrë në pah dy gjëra. E para, Gjermania dhe Franca janë kundër dhe nuk do të lejojnë asnjë plan për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. E dyta, samiti tregoi se gjasat që negociatat me Shqipërinë të hapen këtë vit janë të vogla.