Sezoni 2019-2020 i futbollit në Francë u mbyll zyrtarisht të martën, pasi qeveria vendosi të mos i japë leje për të rifilluar.
Kryeministri francez Eduard Phelippe e komunikoi vendimin në parlament duke arsyetuar se aktivitetet sportive me grumbullime njerëzish nuk japin siguri.
Pas Belgjikës e Skocisë, Franca bëhet shteti i radhës që ndërpren sezonin e futbollit, por ndryshe nga dy shtetet e tjera, në Francë Federata e Futbollit kërkonte rinisjen e kampionatit.
Tashmë sezoni i radhës, i parashikuar për të nisur në shtator, do të nisë pa diskutuar asgjë tjetër nga i shkuari.
Mbetet për t’u shqyrtuar se çfarë do të vendoset rreth titullit, skuadrave që bien një kategori mëposhtë apo ato që do të kualifikohen për në Kupat e Evropës.
Në mbledhjen e fundit UEFA u kërkoi Federatave vendimmarrje rreth rifillimit ose jo të kampionateve brenda 27 majit, ndërsa dha kohë për përmbylljen e sezonit deri në muajin gusht.
Kampionati Ligue 1 u ndërpre në javën e 28-të me Paris Saint-Germain (PSG) në vendin e parë me 68 pikë – Olympique Marseille në vendin e dytë me 8 pikë më pak.
Shumica e skuadrave duhet të luanin edhe nga 10 ndeshje, me përjashtim të PSG-së dhe Strasbourgut që duhet të rikuperonin edhe një tjetër.
Klubet kanë qenë nën presion për të rinisur kampionatet për shkak të kontratave televizive me grupin spanjoll Mediapro, kontrata që kushtojnë mbi 1 miliardë euro.
Skuadrat nuk janë lejuar as të stërviten. Federata Franceze e Futbollit kishte propozuar që kampionati të rifillojë më 17 qershor dhe skuadrat të luanin nga 2 herë në javë deri më 25 korrik.
Franca është në shtetrrethim deri më 11 maj. Mbi 190 mijë persona janë infektuar me Covid-19, rreht 24 mijë prej të cilëve kanë vdekur.