Franca: “Partneritet special” për vendet e Ballkanit Perëndimor në vend të anëtarësimit në BE

Franca: “Partneritet special” për vendet e Ballkanit Perëndimor në vend të anëtarësimit në BE

Gazeta e Bosnjë—Hercegovinës, Nezavisne raporton se Franca ka nisur konsultimet diplomatike joformale për t’i ofruar një partneritet special vendeve të Ballkanit Perëndimor në këmbim të heqjes dorë nga kërkesa për anëtarësimin e plotë të tyre në BE.

Sipas këtij propozimi, vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë ndihmë ekonomike, marrëveshje të veçanta për aksesin në tregjet evropiane dhe përfitime të tjera në shkëmbim të “heqjes dorë në heshtje” të anëtarësimit të plotë. Gjermania i ka ofruar të njëtën gjë Turqisë në shkëmbim të anëtarësimit në BE, 10 vjet më parë.

Plani francez parashikon forcimin e bashkëpunimit mes Francës dhe vendeve të rajonit në fushën e sigurisë, ekonomisë, drejtësisë dhe mbrojtjes.

Në fushën e ekonomisë, Agjencia Franceze për Zhvillim do të financojë 100 deri në 150 milionë euro për përmirësimin e financimit të donatorëve, në veçanti të Institutit Gjerman për Rehabilitimin e Kredisë.

Në fushën e sigurisë, Franca do të ndihmojë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe trafikut të armëve. Plani francez parashikon ngritjen e Njësisë për Krimet e Inteligjencës (uprc) dhe një platforme online për raportimin e përmbajtjes së paligjshme në internet.

Në fushën e drejtësisë, plani thekson se Franca do të vazhdojë të bashkëpunojë në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, armëve të paligjshme, trafikut njerëzor, dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Ata parashikojnë të ngrejnë skuadra të përbashkëta me vendet e rajonit për luftën ndaj krimit ekonomik.

Dhe në fushën e mbrojtjes, Franca angazhohet të trajnojë forcat ushtarake të vendeve të Ballkanit në Institutin francez për Studimet e Larta të Mbrojtjes Kombëtare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>