Organizata Freedom House ka publikuar raportin e saj vjetor mbi lirinë në botë gjatë pandemisë.
Krahasuar me një vit më parë Shqipëria ka humbur një pike, nga vendi i 67 ka zbritur në vendin e 66, duke iu përmbajtur një trendi zbritës 3 vitet e fundit.
Ajo vazhdon të jetë në listën e vendeve pjesërisht të lira, me vetëm 47% demokraci.
Sipas bashkëautores së këtij raporti, e cila ka folur për VOA, bëhet fjalë për protestat për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe për protestat për vrasjen e Klodian Rashës.
“Ne pamë rënie në lirinë e grumbullimit, për shkak të dhunës midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në maj, gjatë shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Një tjetër arsye për shqetësim ishte kur në dhjetor policia vrau një qytetar që kishte shkelur urdhrin për orën policore. Këto kontribuan në rënien në kategorinë e lirisë së grumbullimit”, tha bashkëautorja e raportit Amy Slipowitz.
Kosova pësoi një rënie prej dy pikësh nga 56 në 54, që u atribuohen rënieve në kategoritë e procesit elektoral dhe pluralizmit politik. Një nnga faktorët e cituar është rrëzimi jo-kushtetues i qeverisë Kurti nga garda e vjetër politike.
Rënie po 2-pikëshe ka pësuar edhe Serbia, nga 66 në 64, duke vazhduar zbritjen e viteve të fundit.
“Nga ana tjetër, Mali i Zi bëri ktheu një trend gjashtë-vjeçar të rënies së rezultateve, pasi zgjedhjet rezultuan në transferimin e parë të pushtetit tek opozita në historinë e pavarur të vendit.”
Një vlerësim edhe më bujar, me rritje nga vendi i 63 në atë të 66, ka marr Maqedonisë së Veriut për shkak se ka rizgjedhur një qeveri reformiste dhe “institucionet e saj janë rikuperuar kryesisht nga dëmet e shkaktuara nga ish-kryeministri i arratisur, Nikola Gruevski”, shkruhet në raport për vendet e rajonit.
Ndërkaq, liria në Shtetet e Bashkuara ra me tre pikë dhe në dekadën e fundit ka rënë 11 pikë.
Dëmi më i madh për demokracinë amerikane, thuhet në raport, ishin përpjekjet e Presidentit Trump për të përmbysur vullnetin e votuesve amerikanë dhe pretendimet e tij të pabaza për mashtrime në zgjedhje.
Freedom House përmend si një nga shqetësimet kryesore rolin e Kinës si në fshehjen përmasave të pandemisë, ashtu edhe në përpjekjet për shtrirjen e ndikimit në botë.
Rënia e vazhdueshme e lirisë në botë i ka dhënë zemër pretendimeve të inferioritetit të demokracisë, mbështetur fuqishëm nga zyrtarët kinezë dhe rusë. Këta të fundit kërkojnë të forcojnë ndikimin e tyre ndërkombëtar duke shpëtuar nga përgjegjësia për abuzimet. E njëjta gjë për aktorët jodemokratikë brenda vendeve demokratike.
Raporti “Liria në Botë 2021” vlerëson gjendjen e lirisë në 195 vende dhe 15 territore gjatë vitit kalendarik 2020. Secili vend dhe territor është caktuar ndërmjet 0 dhe 4 pikë në një seri prej 25 treguesish, për një rezultat të përgjithshëm deri në 100.
Treguesit janë grupuar në kategoritë e të drejtave politike (0–40) dhe lirive civile (0–60), shumat e të cilave vlerësohen në mënyrë të barabartë për të përcaktuar nëse vendi ose territori ka një status të përgjithshëm të Lirë, Pjesërisht të Lirë ose Jo të Lirë.